INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Strategjia e re e BE-së: Serbia dhe Mali i Zi marrin afate, po Shqipëria...

Strategjia e re e BE-së: Serbia dhe Mali i Zi marrin afate, po Shqipëria...

Publikuar më: 19:22 05-02-2018

Serbia dhe Mali i Zi janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat në Strategjinë e Komisionit Evropian do të marrin afat të qartë kalendarik për pranim të mundshëm në BE në vitin 2025, ndërsa datat e integrimit evropian të vendeve të tjera të rajonit nuk do të përmenden, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kështu thuhet në versionin përfundimtar të Strategjisë për Perspektivën e Besueshme të Ballkanit Perëndimor, teksti i së cilës u miratua të hënën në takimin e shefave të kabinetit të Komisionit Evropian.

Në dokumentin që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi dhe Serbia identifikohen sërish si lidere ne rajon dhe pranimi i tyre në BE parashihet të bëhet për shtatë vite.Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nga ky dokument do të sigurojnë vetëm perspektivën për integrim evropian, pa afate kalendarike për pranimin e tyre të mundshëm.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara. Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane kur të lejojnë rrethanat objektive”, thuhet në Strategji.

Sipas Radio Evropa e Lirë, në dokument BE ashpërson gjuhën në kapitullin për sundimin e ligjit.

“Sot, vendet tregojnë elemente të qarta të shteteve ‘të kapura’, përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje të fuqishme të interesave publike dhe private”, thuhet në të.

Komisioni Evropian ka vërejtje konkrete edhe në kapitullin për ekonominë, ku po ashtu thuhet se ka ndërhyrje politike.

Article Logic
Execution time: 0.0025761127471924