INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përmbytjet në vend, Policia e Shtetit në gatishmëri të përforcuar

Përmbytjet në vend, Policia e Shtetit në gatishmëri të përforcuar

Publikuar më: 13:27 04-02-2018

Që prej ditës së djeshme, kur reshjet e dendura të shiut përfshinë vendin, Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar.

Në të gjitha qarqet shërbimet e policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë.

Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Delta Forcë.

Në Ferras e Novoselë ndodhen dy njësi të FNSH- së Fier dhe dy njësi të Deltës me makina me kalueshmëri të lartë dhe varka e gomone.

Në fshatin Theth, Shkodër është kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e policisë me mjet policie të larte dhe mjekun e zonës.

Shërbimet e policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.

Në të gjitha akset rrugore Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.

Patrullat e përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Në të gjitha sallat operative të policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale clçdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë te kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.

Gjithashtu në rast neglizhence nga punonjësit e policisë ftohen qytetarët që të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm

Article Logic
Execution time: 0.0039839744567871