INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Makina e përdorur në vrasjen e Ivanoviç është e një serbi nga Austria

Makina e përdorur në vrasjen e Ivanoviç është e një serbi nga Austria

Publikuar më: 13:24 18-01-2018

Drejtori i Policisë Vladimir Rebiç ka konfirmuar se një makinë e djegur e dyshuar për t'u përdorur në vrasjen e Oliver Ivanoviç i përkiste një serbi nga Austria. Media serbe B92 shkruan se makina e djegur afër vendit të ngjarjes rezulton të ketë qenë kohë më parë në pronësi të një shtetasi serb. Ivanoviç u qëllua për vdekje nga një makinë në lëvizje më 16 janar, në Mitrovicën Veriore. Rebiç ka bërë të ditur gjithashtu se makina që ishte në pronësi të serbit u shit pas vdekjes së tij. Mësohet se automjeti është shitur më pas disa herë dhe se policia po përpiqet të zbuloj se kush ishte pronari i fundit. "Menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviç, Prokuroria për Krimin e Organizuar ka nisur procedurat paraprake për veprën penale të terrorizmit. Ne kemi disa të dhëna, për automjetin që dyshohet se u përdor për vrasjen, ne kemi informacion në lidhje me pronarin e atij automjeti, "tha Rebiç për Radio Televizionin e Serbisë. Ai konfirmoi se pronari origjinal, siç raportoi media, ishte një serb nga Austria që vdiq shumë kohë më parë. "Ky informacion ishte i saktë, e morëm atë nga policia austriake. Makina u shit disa herë dhe po përpiqemi të zbulojmë se kush është blerësi i fundit", tha drejtori i policisë serbe. Sipas tij, autoritetet serbe kanë disa njohuri që u drejtohen autorëve të mundshëm të vrasjes.

"Gjurmët çojnë në automjetin e përdorur për të kryer krimin, ne kemi informacion në lidhje me pronarin e këtij mjeti dhe ne jemi duke u përpjekur për të marrë informacione të tjera. Në mënyrë që të mos rrezikojnë hetimin, unë nuk mund të jap më shumë detaje", ka thënë Rebic. Drejtori i policisë rikujtoi se Serbia vazhdimisht ka kontaktuar me EULEX dhe UNMIK me një kërkesë që autoritetet serbe të angazhohen në hetim, por që ende nuk ka përgjigje. Drejtori i policisë tha se "profesionalisht" beson se EULEX dhe UNMIK do t'i përgjigjen kërkesave të Serbisë. "Unë besoj në policinë serbe dhe BIA (agjensia e sigurimit), që, në sajë të burimeve njerëzore dhe materiale, do të jetë në gjendje për të gjetur autorët dhe ata që dhanë urdhër për të kryer vrasjen", përfundoi Rebic.

Article Logic
Execution time: 0.0036880970001221