INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kredia në gjallërim, huadhënia arrinë shifra rekord

Kredia në gjallërim, huadhënia arrinë shifra rekord

Publikuar më: 11:22 27-09-2019

Pas një periudhe stanjacioni huadhënia për ekonominë duket se po shfaq shenja të qëndrueshme gjallërimi.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në korrik stoku i huasë për ekonominë arriti në rreth 561 miliardë lekë, duke shënuar një nivel rekord. Që prej muajit prill, huadhënia për ekonominë ka njohur vetëm rritje.
Në raport me dhjetorin 2018, kredia është rritur me 5.2%, ndërsa dhe me bazë vjetore zgjerimi është i ngjashëm, teksa vitin e kaluar huaja për ekonominë ishte pothuajse e ngrirë.
Sipas monedhave, përmirësimi i shifrave ka ardhur si nga huaja në valutë ashtu dhe nga ajo në lekë.
Kredia në valutë u rrit me 4% në krahasim me dhjetorin 2018, e ndikuar nga bizneset, ndërsa ajo në lekë me 6.3%. Pesha e kredisë në valutë në fund të gushtit 2019 ishte 51.3%, duke u rritur me 1 pikë përqindjeje në raport me gushtin e një viti më parë.
Efektin kryesor në rritjen e huadhënies në ekonomi e kanë dhënë korporatat e tjera jofinanciare (bizneset), stoku i të cilës është shtuar me 4.4% në krahasim me fundin e 2018-s, duke ndikuar në gjysmën e rritjes në total. Bizneset kanë vijuar të preferojnë valutën që është rritur me ritme më të shpejta në raport me huanë në lekë për këtë segment.
Në të kundërt, huaja për individët është orientuar tërësisht nga monedha vendase. Stoku i kredisë për individë është rritur me gati 5% në raport me dhjetor 2018, ku 7% ishte zgjerimi në monedhën vendase dhe vetëm 1% në valutë.
Vitet e fundit kredidhënia për ekonominë kishte hyrë në stanjacion. Në 2018-n, huaja ra me 3.2% mbi bazë vjetore, ku efekt dha fshirja e kredive por dhe zhvlerësimi i euros, pasi të dhënat raportohen në lekë. Ndërsa këtë vit, euro ka humbur më pak pikë dhe efekti i zhvlerësimit të saj është më i ulët në shifrat totale të huasë.

 

Article Logic
Execution time: 0.003741979598999