Në një intervistë për “RSI Sport”, Behrami deklaroi se kishte folur me trajnerin Vladimir Petkoviç, e ky i fundit i tha se e ka përjashtuar nga kombëtarja.
Behrami e quajti këtë vendim politik, kurse tekniku informoi se vendimi ishte vetëm sportiv.
Valon Behrami nuk do të luajë më me kombëtaren e Zvicrës. Zvicerano-shqiptari ka lajmëruar të gjithë fansat e tij dhe shtetasit zviceranë se ai ka vendosur që të tërhiqet dhe se “gjithçka ka mbaruar” sa i përket karrierës ndërkombëtare. Lajmin futbollisti e bëri publik nëpërmjet profilit të tij në Instagram.
“Karriera ime ndërkombëtare ka përfunduar. Kapitull i mbyllur” ishte mesazhi i tij që lajmëroi fundin me helvetikët.
“Mendoja se ishte bisedë normale, por në vend të kësaj më përjashtoi. Kjo është zgjedhje politike, trajneri mund të thotë gjithçka”, deklaroi Behrami. Në anën tjetër, Federata e Zvicrës konfirmoi se trajneri ka folur me disa futbollistë, përfshirë Behramin dhe Blerim Xhemailin.
Ndeshja e parë e tij me skuadrën e zvicrës u luajt më vitin 2005. Që prej atëherë, ai luajti me helvetikët 83 takime dhe konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të respektuar atje. Tani Behrami do t’i përkushtohet vetëm skuadrës së tij, Udinese-s.