Lamtumirë Barcelona!!!
Ndarja vjen pas 13 vitesh. Më në fund u konfirmua. Lionel Messi nuk do të luajë më asnjë lojë tjetër me fanellën e Barcelonës. Pavarësisht përpjekjeve të klubit, argjentinasi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me blaugranët.
Barcelona ka njoftuar të enjten se klubi nuk do të jetë në gjendje që ta mbajë Lionel Messi-n në klub, duke njoftuar divorcin pas 13 vitesh. Klubi katalanas ka deklaruar se dy palët ranë dakord për zgjatimin e kontratës, por rregullat e La Liga-S nuk e lejojnë që situata të bëhet realitet.
“Pavarësisht se u arrit një marrëveshje mes Barcelonës dhe Leo Messi-t me qëllimin e dy palëve për të nënshkruar një kontratë të re, nuk mund të formalizohet për shkak të pengesave ekonomike dhe strukturore”, thuhej në një deklaratë.
FC Barcelona shpreh mirënjohjen për lojtarin dhe kontributin e tij dhe i uron më të mirat në të ardhmen.
Lionel Mesi shpërtheu ne lot sapo doli ne konferencën për shtyp në “Camp Nou” për të zbuluar detajet nga “divorci” me Barcelonën, klubin me të cilin debutoi në vitin 2004.
“Barcelona është shtëpia jonë dhe kështu u premtova edhe fëmijëve të mi. Falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam rritur me vlerat e kësaj shtëpie, duke e trajtuar veten me përulësi dhe respekt. Kështu veprova me të gjithë në këtë shtëpi dhe shpresoj që kjo të mbetet, përveç gjithçkaje që fitojmë. Do të më pëlqente të them lamtumirë në një mënyrë tjetër. Unë kurrë nuk e imagjinoja lamtumirën time, por nuk do ta kisha imagjinuar në atë mënyrë. Do të më pëlqente ta bëja në fushë, të kisha dëgjuar një ovacion të fundit. Po tërhiqem nga ky klub pa i parë në më shumë se një vit e gjysmë tifozët. Nëse do ta kisha imagjinuar, do të ishte me një stadium të mbushur.
Ndodhi kështu dhe, e përsëris, e vlerësoj dashurinë e gjithë këtyre viteve. Ne kishim kohë të mira dhe të këqija, por dashuria ndihej gjithmonë e njëjtë. Njohja dhe dashuria. Unë gjithmonë do ta dua këtë klub. Shpresoj se mund të kthehem për të qenë pjesë e këtij klubi në një tjetër moment. Shpresoj se mund të kontribuoj diçka në mënyrë që ky të vazhdojë të jetë klubi më i mirë në botë. Jam i sigurt që kam harruar shumë gjëra, por kjo është ajo që mund të them tani, nuk jam në gjendje të mendoj dhe fjalët dalin”.