INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rusi 2018/ Ndeshjet e sotme mbyllin raundin e dytë në grupe

Rusi 2018/ Ndeshjet e sotme mbyllin raundin e dytë në grupe

Publikuar më: 10:18 24-06-2018

E diela e sotme mbyll përfundimisht raundin e dytë të ndeshjeve në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë.

Me shumë rëndësi është sfida mes Anglisë e Panamasë. “Tre Luanët”, pas fitores së vuajtur me Tunizinë, kanë mundësinë të marrin 3 pikë të tjera për t’iu bashkuar Belgjikës në 1/8-at e finaleve, një objektiv që kombëtarja e Mbretërisë së Bashkuar dështoi ta arrinte 4 vite më parë. Anglia do të kërkojë të fitojë ndaj Panamasë edhe për të diskutuar vendin e parë në grup me Belgjikën, por “Tre Luanëve” u duhet që të fitojnë me goleadë këtë ndeshje, për të pasur këtë mundësi, pasi Belgjika ka një golavarazh +7 kundrejt atij +1 të britanikëve.

Vëmendja do të jetë padyshim te sfida mes Polonisë dhe Kolumbisë, që realisht janë në pozita të vështira.

Të dyja këto skuadra janë befasuar në ndeshjet e tyre të para, pasi janë mundur nga Senegali dhe Japonia.
Polonia luan për herë të 9 kundër një ekipi amerikano-latin në një Botëror, me një bilanc jo pozitiv: 3 fitore e 5 humbje. Edhe më negativ është bilanci i Kolumbisë në 8 ndeshjet e fundit me ekipet europiane, me vetëm 2 fitore, 1 barazim e 5 humbje. Sfida Poloni-Kolumbi do të luhet pas asaj mes Japonisë e Senegalit, që askush nuk i priste t’i bënin një fillim të tillë Botërorit, duke fituar ndeshjet e tyre respektive me të njëjtin rezultat: 2-1 ndaj Kolumbisë e Polonisë.

Edhe në këtë ndeshje, në lojë janë 3 pikë me shumë peshë, pasi do të thoshte kualifikim për në raundin tjetër të Kupës së Botës.

Për Japoninë mund të jetë hera e tretë që kualifikohet në 1/8-at e finaleve, pas Botërorëve të viteve 2002 dhe 2010, ndërsa Senegali do të kërkojë të arrijë kualifikimin e dytë mes 16 më të mirave të një Kupe Bote, në dy pjesëmarrje. Vlen të theksohet se në vitin 2002, Senegali arriti deri në çerekfinale.

Article Logic
Execution time: 0.0032730102539062