Pas ndeshjes, që ekipi i tij e fitoi 2-1, trajneri boshnjako-zviceran Vladimir Petkoviç është pyetur në lidhje me festimet e lojtarëve të tij, duke thënë se “kurrë nuk duhet të ngatërrohet futbolli me politikën. E rëndësishme është të jesh tifoz dhe të respektosh të tjerët. Ishte një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë tifozët”. Të dy lojtarët janë me prejardhje shqiptare nga Kosova, aty ku spastrimi etnik i ndërmarrë nga serbët ndaj popullsisë shqiptare përfundoi vetëm pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999. Babai i Xhakës kaloi 3 vite e gjysmë si i burgosur politik në Jugosllavi, ndërsa Shaqiri u lind në Kosovën nën ish-Jugosllavi, përpara se të emigronte drejt Zvicrës në moshë fëminore. Shaqiri mban gjithashtu flamurin e Kosovës në njërën prej këpucëve të tij.
Pasi shënuan, ata bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare të flamurit shqiptar, e sigurisht që të dy u vërshëllyen nga tifozët serbë e rusë.
FIFA ka hapur zyrtarisht një hetim mbi mënyrën e festimit të golave nga ana e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, gjatë fitores së Zvicrës përballë Serbisë.
Në deklaratën zyrtare, FIFA shkruan se Komiteti i Disiplinës ka nisur hetimet ndaj Xhakës e Shaqirit, duke shtuar madje se, “në lidhje me të njëjtën ndeshje, procedime disiplinore janë hapur edhe ndaj Federatës serbe të Futbollit, për shqetësimet që kanë sjellë tifozët në stadium dhe shfaqjen e mesazheve politike e agresive nga tifozët serbë”.
“Për më tepër, një hetim paraprak është hapur ndaj trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç, për deklaratat akuzuese që bëri pas ndeshjes në fjalë”. Ende mbetet e paqartë se për çfarë është hapur hetimi ndaj Krstajiç, por në komentet për reporterët serbë gjatë së shtunës, ai besohet të ketë folur mbi gjyqtarin e ndeshjes, Felix Brych.








10 Dec 2025 





