INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Politikanë dhe intelektualë reagojnë për legalizimin e kanabis dhe prostitucionit

Politikanë dhe intelektualë reagojnë për legalizimin e kanabis dhe prostitucionit

Publikuar më: 09:28 27-09-2016

Resurs të madh për ekonominë e konsideroi Kryetari i Dhomës së Tregëtisë Nikollin Jaka, legalizimin e kanabis dhe prostitucionit. Po jo të gjithë janë  në një mendje me të. Shumë intelektualë dhe politikanë të pyetur nga Gazeta Shqiptare kanë reaguar madje ashpër.

Ja pjesë nga qëndrimet e tyre:

Sajmir Tahiri, Ministri i Brendshëm: “Kam qenë dhe jam kundër. Asnjë rrënjë në tokë dhe nën tokë nuk do lejohet të furnizojë tregun kriminal të drogës”.

Flamur Noka, deputet i PD: “Qëndrimin ynë është që biznesi i kanabisit është kriminal. Edhe sikur të legalizohet, nuk jemi në kushtet që Shqipëria mund të pranojë legalizimin e tij. Kur një shtet kërkon zgjidhje dhe përpiqet të shpëtojë ekonominë nëpërmjet legalizimit të biznesit kriminal të drogës, do të thotë që ky shtet ka falimentuar. Ndërsa legalizimi i prostitucionit nuk më shqetëson edhe nëse legalizohet edhe nëse jo.

Tom Doshi: “Unë si malësor, si verior jam kundër të dyjave. Karakteri im nuk ma lejon t’i aprovoj.”

Dashamir Shehi: “Nuk jam dakord. Mund t’i shërbejë biznesin dhe të dalin disa para nga kjo punë, por është si një dorëzim i shtetit dhe shoqërisë, që ne nuk jemi në gjendje. Sigurisht që e ndihmon ekonominë, por ato pak para që do të vijnë nga kjo punë do ta zhvatin moralisht të gjithë shoqërinë dhe rregullat e ligjet nuk do të kenë më vlerë. Ata që janë më të rinj se unë ndoshta e mendojnë ndryshe, por unë si njeri i një force konservatore jam kundër.”

Mesila Doda: “Shqipëria e mijëvjeçarit tjetër projekton zhvillimin e saj ekonomik me liberalizimin e drogës dhe prostitucionit. Nuk po u besoja veshëve kur dëgjova kryetarin e Dhomës së Tregtisë që na tregoi pikat e forta ku duhej të ndryshonte ekonomia jonë dhe pashë që thuajse askush nuk iu kundërvu makro-planbiznesit drogë-prostitucion. A ka ndonjë mundësi të projektohet rritja ekonomike duke ndihmuar turizmin, agroturizmin, bujqësinë, artizanatin, energjinë, të fuqizohet ekonomia duke e parë si një të tërë bashkë me Kosovën, të fuqizojmë lekun si monedhë kombëtare. A ka mundësi të mendojmë për një strategji të vërtetë fuqizimi.”

Luçiano Boçi: “Ekonomia duhet të gjejë resurse të tjera për t’u zhvilluar. Mundësitë ekzistojnë. Nuk mund të përdorë si barkë shpëtimi legalizimin e dy aktiviteteve që konsiderohen kriminale, ose pothuajsekriminale. Janë propozime të papranueshme për pasojat morale dhe sociale që mund të sjellin për vendin.”

Saimir Kumbaro: “Shefi i Dhomës së Tregtisë duhet të jetë pak defiçent sepse në një vend me shumë probleme, sidomos në nivel kulturor, sepse ne klasifikohemi si popull i prapambetur, të legalizosh drogën dhe prostitucionin është pak e parakohshme. Nuk është brenda mentalitetit tonë aktualisht. Ndoshta pas 100 vjetësh po”.

Flutra Açka: “Nëse do të ishte një diskutim që ngrihet nga principe të larta, do ta kisha pranuar. Por e thënë kështu, pa asnjë argumentim, ose thjesht po tërheq vëmendjen publike nga probleme shumë më të mprehta që ka vendi, ose thjesht është një mënyrë për të justifikuar dhe ligjëruar biznese që tashmë janë ngritur. Në një Shqipëri si e jona ku asgjë nuk kontrollohet dhe kur dukshëm jemi kthyer në një vend qesharak dhe i përmbytur nga marijuhana, si mund të vihet nën kontroll? Siç duket, ia panë këtë vit shijen e fitimit të marijuhanës, që kërkojnë ta legalizojnë. Unë jetoj në Holandë, në një vend ku që të dyja janë të lejuara, por sigurisht ka një kontroll të atillë dhe dënime të atilla, që nuk do të guxoje ta çoje në mend të abuzoje. Dhe në të vërtetë, trafikun e hashashit dhe të prostitucionit në Holandë e drejtojnë shqiptarët, kështu që nuk më duket fare habi që një shqiptar të kërkojë nga shteti i tij t’i legalizojë të dyja; shkurt do ta bëjë më shpejt lidhjen me krimin dhe trafikun dhe madje edhe ligjërisht.”

Natasha Lako: “Alarm për të gjithë. Sapo kam lexuar një shaka, apo një tmerr të një platforme të shpallur nga përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë të Tiranës, e cila legalizimit të plehrave dhe të kanabisit i shton edhe atë të prostitucionit. Kjo tregon se në këtë gjendje që jemi, duhet të shkojmë drejt fundit. Nuk po u besoj as veshëve, as syve, sepse shqiptarët trajtohen si specie më vete. Jo, njëmijë herë, jo shakaxhinjve të sotëm të përparimit, që edhe stilin e shprehjes dhe jo me analizat i kanë më banalet që mund të ekzistojnë. Nuk mund të ekzistojë nivel më i frikshëm komunikimi. Edhe njëherë nuk më besohet.”

Preç Zogaj: “Të flasësh për legalizim të prodhimit kur tregu është ilegal është retorikë pa sens që inkurajon narkotrafikantët. Çështja e legalizimit duhet të jetë një vendim i përbashkët i vendeve të Bashkimit Europian. Nuk mund të marrë Shqipëria një vendim të njëanshëm, sepse legalizimi i prodhimit duhet të vijë paralelisht me legalizimin e tregut, përndryshe ky diskutim është në hava, por që sjell dëme. Të shtrosh këtë lloj debati në këtë mënyrë është i dëmshëm, sepse inkurajon kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Shqipëria është një vend i vogël me historinë e tij, që nuk e favorizon legalizimin. Lidhet me natyrën e vendit, sepse edhe Italia nuk e ka të legalizuar, por jo sepse italianët janë më pak liberalë se holandezët, por është natyra e vendit, prania e Kishës. Ndryshe nga Ballkani, vendet e ulëta janë më kozmopolite dhe multikulturore. Ne kemi njohje dhe lidhje të shumëfishta me njëri-tjetrin.”

Article Logic
Execution time: 0.004345178604126