Tirana është mundur me rezultatin 1-3 nga Prishtina në miqësoren e zhvilluar në “Selman Stermasi”. 24-herë kampionët e vendit janë shtangur që në pjesën e parë, pasi bardheblutë e Prishtinës i kanë surprizuar me 3 gola brenda 25 minutash. Shifra që kanë befasuar të gjithë të pranishmit në stadium, ndërkohë që të vetmin gol e ka shënuar mbrojtësi i djathtë Albi Doka.
Megjithatë, pas sfidës Ze Maria e ka parë të arsyeshme që të bëjë kërkesat e tij duke qenë se jemi në periudhë merkatoje. Tekniku brazilian nuk është ndalur, teksa ka thënë se kërkon një portier dhe një sulmues. Dëmtimi i ‘gardianit’ Ilion Lika dhe dobësia që skuadra e tij shpreh në sulm, ka bërë që tekniku të shprehë hapur pakënaqësitë që ka për këto reparte.
Pritet që ai të ketë një takim me presidentin Halili dhe më pas të diskutojë çdo gjë rreth reparteve që ai i sheh me probleme për këtë sezon. Edhe më parë braziliani ka kërkuar një sulmues shtesë në skuadër, por që ende nuk është parë në ambientet e skuadrës. Flitet se kërkojnë një të ashtuquajtur okazion, por me sa duket Ze Maria-s nuk i pret puna, kështu që drejtuesit duhet të nxitojnë për të përforcuar skuadrën.