INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndaluan grabitësin e kambistit, shpërblehen policët heronj

Ndaluan grabitësin e kambistit, shpërblehen policët heronj

Publikuar më: 10:24 03-04-2019

Ndalimi i grabitësit të pronarit të një exchange në Tiranë ka sjellë dhe shpërblimin për tre efektivët e policisë Rrugore.

“Veprimi me iniciativë i tre punonjësve të Policisë, ishte një veprim që ne mundohemi ta përgjithësojmë në gjithë strukturat e Policisë, jo vetëm ato të Policisë Rrugore. Për këtë, me propozim të Shefit të Komisariatit dhe të Drejtorit Vendor të Policisë Tiranë, unë kam firmosur shpërblim për 3 punonjësit e Policisë. Ata e meritojnë, kanë parandaluar një ngjarje duke bërë të mundur prangosjen e autorëve, të cilët kishin konsumuar një vepër të rëndë penale”, u shpreh drejtori i Policisë Ard Veliu.

Edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj takoi punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët ndaluan dhe arrestuan në flagrancë grabitësin në Tiranë, në tentativën për t’u larguar. Ministri shprehu vlerësimin maksimal dhe theksoi se ky është modeli i suksesit që duhet nxitur, motivuar dhe përhapur në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit.

“Na duhet pikërisht ky model; modeli i një polici, i cili është vigjilent, është i përgatitur, është profesionist, por është i guximshëm dhe trim për të bërë detyrën. Këtë kërkojnë të gjithë shqiptarët, këtë kërkon gjithë Policia e Shtetit dhe ky është modeli i suksesit, që ne kërkojmë ta nxisim, ta motivojmë dhe ta përhapim në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit”, është shprehur ministri.

Më tej ai nënvizoi se Policia Rrugore duhet të jetë e mirë trajnuar dhe profesioniste, pasi është e para që ndeshet në mënyrë të përditshme me një pjesë të madhe të problematikave të sigurisë që shfaqen në rrugët e vendit.

Article Logic
Execution time: 0.0037331581115723