INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Historia e ndërtimit të HEC-ve mbi lumin Osum

Historia e ndërtimit të HEC-ve mbi lumin Osum

Publikuar më: 11:54 09-02-2018

Cila është historia e lejes konçesionare e cila i hap rrugë ndërtimit të 2 hidrocentraleve, pikërisht në kanionet e Osumit, një zonë e mbrojtur. Historia zë fill në shtator të 2013, kohë kur demokratët ende nuk kishin dorëzuar pushtetit, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Një javë para se të largohej nga detyra, saktësisht në datën 6 shtator 2013, ish-qeveria e Kryeministrit Sali Berisha ka miratuar kontratën konçesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve Bigas dhe Veleshnje. Por, me ndërrimin e Qeverisë projekti u ndalua dhe qëndroi në heshtje.
Por në vitin 2015 kompania konçesionare arriti të marrë lejen mjedisore për nisjen e punimeve, të cilat nuk filluan brenda 2 viteve, duke bërë që leja mjedisore të shpallej e pavlefshme në mars të 2017. Mësohet se në 2016 qeveria nisi sërish negociatat për ndërtimin e dy HEC-ve mbi lumin Osum, me një kompani e cila në fakt ishte bashkim i dy firmave që kishin fituar koncesionin nga qeveria e ish kryeministrit Berisha. Edhe pse në heshtje dhe në terr informativ, mësohet se qeveria e Edi Ramë i hapi rrugë sërish ndërtimit të hidrocentralit në fund të vitit të shkuar. Mësohet se më 12 dhjetor të 2017, Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Kryeministri Rama ka miratuar edhe aktin e fundit që i hap rrugën ndërtimit të HEC-eve, lejen e ndërtimit. Ky akt nuk ka pasur mbështetjen e gjithë Qeverisë, pasi ministri Blendi Klosi me anë të një shkrese drejtuar Damian Gjiknurit kërkon anulimin e këtij koncesioni. Në argumentimin e tij, ministri i mjedisit thotë se kontrata konçesionare ka parregullsi ligjore dhe efekte shkatërruese për zonën, e cila gëzon statusin më të lartë të mbrojtjes mjedisore, atë të Monumentit të Natyrës. Klosi shkon edhe më tej kur thotë se përveç mungesës së lejes mjedisore, kontrata ka manipuluar koordinatat dhe prek zonën më të bukur të kanioneve mbi lumin Osum. Me ngritjen e shqetësimit nga qytetarët qeveria reagoi dhe premton se nuk do të ketë hidrocentrale në kanionet e lumit Osum.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038049221038818