Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen e këngëtares së njohur shqiptare Ganimete Abazi, e njohur për publikun si Ganja.
Nipi i saj, 22-vjeçari Lorik Abazi, ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës, në zonën Valley Retail Park, në Croydon. Lajmi ka prekur thellë familjen, miqtë dhe ndjekësit e artistes.
Vetë kjo e fundit përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë lajmin e trishtë dhe dhimbjen që kjo humbje e papritur e tij ka lënë pas te familja dhe të gjithë njerëzit e zemrës.
“Jeta po dijka shpeshherë të jetë e padrejtë dhe të godasë aty ku dhemb më së shumti Pusho në paqe, nipi jem, shpirti jem, sepse ne do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe. Ahhh bre sa e vështirë me ta thënë lamtumirë, Loriku ynë”, shkruan ajo.
Sipas njoftimit të Metropolitan Police, incidenti ka ndodhur rreth orës 01:15 pas mesnate. Në vendngjarje janë gjetur tre të rinj të plagosur me thikë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore dhe transportimit urgjent në spital, Lorik Abazi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë pak më vonë.
Dy të rinj të tjerë, të moshës 21 vjeç, mbetën gjithashtu të plagosur. Njëri prej tyre raportohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa mjekët po vijojnë përpjekjet për stabilizimin e tij.
Policia britanike ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani janë arrestuar shtatë persona në lidhje me rastin. Mes të dyshuarve përfshihen dy vajza 25-vjeçare dhe një 28-vjeçar, të cilët ndodhen në paraburgim.









11 Feb 2026 





