INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dedikim për prindërit tanë Post 90’

Dedikim për prindërit tanë Post 90’

Publikuar më: 15:31 13-06-2016

Nga Kelvi Kadilli

“Mos i thuaj që është i bukur se i rriten veshët”…

Nuk ka ndjesi më “të bukur” sesa kur prindërit të rrisin me ndjesi inferioriteti. “Ti nuk je më i miri, nuk je i bukur, nuk je i zgjuar, ti je një si shumë të tjerë…” Janë këto shprehjet që shumica e brezit tim kanë dëgjuar nga prindërit e tyre gjatë kohës që rriteshin. Disa prej tyre vazhdojnë ende të mendojnë se janë të paaftë dhe një si shumë të tjerë… Ata zgjohen herët dhe pinë kafen e mëgjesit me mamin ose me babin dhe entuziazmi i tyre më i madh është të dinë se çfarë do të ndodhë në episodin e ardhshëm të “Bidai”.

Vajza dhe djem mbi të 20-tat që nuk dinë ende se çfarë duan dhe ja kanë plotësuar me devotshmëri dëshirën prindërve për të qenë askushi në jetë. Por tashmë ka një problem! Këta prindër që gjatë gjithë jetës së tyre u munduan me sa patën mundësi të shtypnin ëndrrat e fëmijëve për të realizuar ato të vetat, tashmë ndihen keq. Jo sepse fëmijët e tyre ndihen keq por sepse “Ermali, i biri i Sadikut punon në bankë”. Në fund të thonë edhe një shprehje “Rri ti… Shokët e tu kanë krijuar familje dhe mbajnë shtëpinë me bukë.” Ndërkohë që Ermali, i biri i Sadikut është thjesht një djalosh 200 kg (pa asnjë paragjykim për njerëzit mbi peshë) i cili nuk sheh dot përtej skeletit të syzeve të miopit përveçse rrugën për në shtëpi dhe kasën e degës së bankës ku punon. Ti ndërkohë bën një punë që ta kanë zili të gjithë dhe fiton shumë më tepër sesa i biri i Sadikut. Por ai nuk del natën, nuk është rrugaç si ti! Ti ndërkohë zgjohesh çdo ditë me inspirim dhe kreativitet maksimal për të qenë një njeri më i mirë por sheh fytyrat e dy prindërve që jo vetëm se kanë idenë se me çfarë energjie negative dhe “monstrash” të duhet të përballesh gjatë ditës, por as nuk marrin mundimin të të thonë një “Bravo” qoftë edhe false, thjesht për të të bërë qejfin.

Ai ishte kreativ, ndryshe nga të tjerët! Qëkur ishte i vogël kishte interes për të bukurën. Ai dëgjonte muzikë, këndonte herë me vete e herë me zë të lartë dhe informohej gjatë gjithë kohës nëpër revista dhe thashetheme vipash. Pikturonte shumë dhe i pëlqenin ngjyrat. Madje ndonjëherë pikturonte edhe veten thjesht sepse i dukej “funny”. Atij i pëlqente të vishte rroba që nuk i vishnin të tjerët. Ai përballonte çdo ditë edhe paragjykimin e shumë njerëzve që botën e tij nuk e kuptonin dhe e përkthenin në forma bastarde që shkaktonin herë pas here edhe vuajtje. Prindërit e kishin shumë të lehtë t’i thonin thjesht “Ndrysho!!!” pa marrë parasysh që ky djali ishte i gatshëm të bënte çdo kompromis me jetën dhe injorancën e njerëzve që e rrethonin, vetëm që në fund të ditës të thoshte me zë të lartë, “Po, jam ndryshe, jam krenar, jam më i miri!” Prindërit e tij ishin gjatë gjithë jetës të zënë duke menduar se çfarë është gjëja e duhur për jetën e fëmijës së tyre, sesa të ndalonin dhe ta pyesnin atë, “Si ndihesh?” Kur ai i tha se dëshironte të merrej me art sepse ishte e vetmja gjë që e inspironte, ata e panë me skepticizëm dhe nuk e ndihmuan kurrë qoftë psikologjikisht që ai të punonte më fort për të bërë realitet ëndrrat që kishte. Madje e bënin herë pas here të besonte se ishte i paaftë… Kështu jeta e tij dhe e shumë moshatarëve mori të tatëpjetën dhe u futën të gjithë në shkollë për Juridik dhe Ekonomik. Shqipëria jonë e bukur është plot e përplot me Juridiksa dhe Ekonomiksa “Si çuni i Sadikut” që jo vetëm s’ja kanë haberin shkollës që kanë bërë por që ndihen bosh dhe të palumtur.

Arritja më e madhë në jetë e këtyre prindërve të pa iluminuar do të ishte: “Aman sa ta sistemojmë djalin/vajzën, të gjejë një burrë/grua edhe pastaj do rri rehat.” Në këtë lloj mënyre ka ende të rinj që shohin si objektiv “të martohen dhe të krijojnë familje” ende pa zbuluar veten dhe kënaqësitë e jetës.

Deri diku nuk i ve faj, sepse aq dinë dhe aq bëjnë por ne që jemi të rinj duhet medoemos të ngrihemi lart dhe t’i tregojmë jo vetëm këtyre prindërve por të gjithë botës, që ne vlejmë, ne kemi ide, ne jemi të veçantë, ne mund të pushtojmë botën!

Në momentin që do të jeni gati duke “pushtuar botën” dhe do të keni veshur kostumin tuaj të ri që sapo e keni blerë, sërish do të dalë para sysh fytyra e mamit që të thotë: “Bukur dukesh, po ruaje për ndonjë herë tjetër këtë kostumin” ose “Mirë, mirë por mos u vono shumë se kam merak…” Nga ana tjetër mund të shihni babain tuaj që i qan shpirti që nuk u bëtë murator në mënyrë që t’ju shihte që djersisni dhe në mbrëmje t’ju thoshte: “Bir i babit bravo të qoftë, rrogën ma lër tek komodina, mbaro groshën dhe fli se do zgjohesh herët!!!”

Ju që po lexoni këtë blog dhe po gjeni veten, bëhuni të fortë dhe mos ndaloni kurrë së ndjekuri ëndrrat tuaja. Jeta është e juaja dhe ju jepet vetëm njëherë! Ndërsa që ju që nuk e gjetët veten ndaheni në dy kategori.

1.Kategoria e atyre që e kanë “ngrënë” shpëlarjen e trurit dhe jetojnë vetëm për t’u riprodhuar.

2. Kategoria e atyre që prindërit i kanë qëndruar gjithnjë afër dhe i kanë suportuar për t’u bërë të parët e kujtdo fushe që ata vetë kanë zgjedhur. Kjo kategori është me fat dhe ata prindër meritojnë respekt maksimal.

Article Logic
Execution time: 0.0040860176086426