INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha: Vendi në krizë kushtetuese, nuk kam informacione që Donald Lu mbështeti zgjedhjen e Kryeprokurores

Basha: Vendi në krizë kushtetuese, nuk kam informacione që Donald Lu mbështeti zgjedhjen e Kryeprokurores

Publikuar më: 23:12 26-12-2017

Lulzim Basha shprehet i bindur se Kryeprokurorja e përkohshme do të përdoret për mbylljen e dosjeve të mëdha nën hetim. Duke folur në Top Story-n e kësaj të marte, Basha thotë se përmes kësaj po synohet të shkatërrohet reforma në drejtësi, që e quan shpresë të shqiptarëve.

“Po përpiqen të shkatërrojnë shpresën tjetër të shqiptarëve, që është reforma në drejtësi duke e kapur atë dhe duke mbrojtur krimin, duke shkatërruar dosjet e krimit, të ndalimit apo kompromontimit të dosjeve të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Balilajt dhe Habilajt, që janë konfirmuar si shtyllë dhe aleatë të pushtetit të Ramës”, shtoi kreu i PD.

Sipas kreut të PD-së nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Rama të mbrojë veten dhe ministrat e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
“Pa kapur institucionet me vendime ekstraligjore, ekstrakushtetuese. E keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura. Kjo është një krizë e thellë e vendit. Ne nuk mund të jemi një opozitë europiane, normale kur ne nuk kemi zgjedhje normale, kur shkelja e Kushtetutës është një precedent që zor se e qenë në diktaturat afrikane dhe aziatike”, thotë Basha.

Kryedemokrati shton gjithashtu se tashmë nuk bëhet më fjalë për krizë prokurori, por për një krizë më të madhe.
“Ka krizë kushtetuese, produkt i një krize politike: kemi një qeveri pa mandat popullor një Parlament që ka dalë nga zgjedhje të tjetërsuara me paratë e drogës dhe krimit dhe paratë e drogës dhe krimit janë vetë problemi”, u shpreh ai.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka theksuar se nuk ka asnjë informacion që të mbështesë hipotezat që Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka mbështetur zgjedhjen e Kryeprokurores të Përkohshme. Basha bëri me dije se OPDAT dhe Euralius bënë një gabim trashanik kur mbështetën një proces të tillë, pasi legjitimuan një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“ Mosdenoncimi i drogës ishte gabim, ndërsa mbështetja e një kapjes së institucioneve nga një mazhorancë që është kapur në flagrancë në shtrat me krimin, do të ishte një gabim trashanik”, tha Basha.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parashikon aspak një proçedurë të tillë, aq më tepër pazarin politik në zgjedhjen e Kryeprokurorit.
“Kushtetuta kërkon zgjedhjen e Kryeprokurorit me 3/5 e votave, çka do të thotë me konsensus. Kryeprokurori propozohet nga KLP, që sot nuk është ngritur, pra nuk kemi të bëjmë me një krizë politike, por Kushtetuese”, tha Basha.

 

Article Logic
Execution time: 0.0037620067596436