INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjedhjet në SHBA: Trump dhe Clinton mbeten favoritë

Zgjedhjet në SHBA: Trump dhe Clinton mbeten favoritë

Publikuar më: 08:35 07-03-2016

Miliarderi Donald Trump i është afruar më shumë marrjes së nominimit të Partisë Republikane pas fitoreve në zgjedhjet paraprake në Louisiana dhe Kentucky. Në kampin demokrat, Hillary Clinton zgjeroi avantazhin ndaj Bernie Sanders, megjithë fitores së tij në dy shtete.

Pas fitoreve të së shtunës, Donald Trump i bëri thirrje Senatorit Marco Rubio të lërë garën.

“Ishte një ditë shumë e keqe për Marco Rubio. I bëj thirrje ta lërë garën. Mendoj se ka ardhur koha. Sa herë del i treti apo i katërti, thotë se do të fitojë, por nuk ja ka dalë mbanë, prandaj duhet të largohet. Do të doja shumë të përballesha tek-e-tek me Tedin. Do të ishte shumë argëtuese.”

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, rezulton rivali më i afërt i zotit Trump, pasi fitoi zgjedhjet paraprake në Maine dhe në Kansas dhe doli i dyti në dy shtete të tjera.

“Jam shumë i inkurajuar, pasi nëse vazhdojmë të bashkuar, do ta fitojmë nominimin, do të fitojmë edhe zgjedhjet e përgjithshme duke mundur Hillary Clinton, dhe do ta orientojmë vendin në drejtimin e duhur.”

Në kampin demokrat, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton fitoi në Louisiana dhe rriti avantazhin ndaj Senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, pavarësisht se ai fitoi në dy shtete, në Kansas dhe Nebraska. Zoti Sanders ka premtuar ta vazhdojë garën deri kur të mbahet konventa demokrate në muajin korrik, ndërkohë që do të përballet në mbrëmje me zonjën Clinton në një debat televiziv në Michigan.

Të martën, të dyja partitë zhvillojnë zgjedhje në Michigan dhe në Mississippi, ndërsa Idaho dhe në Hawaii do të votohet vetëm për republikanët.

Article Logic
Execution time: 0.0035691261291504