Të lumtë këmba dhe goja!
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Këta dy emra do t’i mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre serbët. Dy futbollistët nga Kosova kanë shënuar golat për fitoren e Zvicrës 2-1 me një rikthim fantastik.
Në fundin e ndeshjes Xhaka ka rrëfyer drithërimat dhe emocionet e përjetuara, duke theksuar faktin se festimi me shqiponjë ishte për familjen e tij dhe për rrënjët e tyre, pa pasur një mesazh të veçantë për kundërshtarin.
“Këto ishin emocione të pastra, çfarë të them. Ato 15 minutat e para ishin të këqija për ne, pasi nuk arritëm të futeshim në lojë.
Serbia bëri një lojë të mirë dhe krijoi shumë shanse. Pas një pjese të parë jo të mirë, kemi reaguar në të dytën. Ekipi u fut me një mentalitet sulmues. Me atë reagim ne tregojmë forcën tonë ndaj çdo kundërshtari. Fituam me rezultatin 2-1, është e pabesueshme.
Sot është një ditë e madhe. Për mua sigurisht që është një ndeshje e veçantë. Kam marrë mesazhe nga shumë njerëz, nga familja në Zvicër, nga Shqipëria dhe Kosova. Fitorja i dedikohet familjes time që më kanë mbështetur gjithmonë.
Festimi nuk ishte një mesazh për kundërshtarin, megjithëse nuk më intereson shumë kjo pjesë. Ai festim ishte për njerëzit që më kanë mbështetur gjithmonë dhe nuk më kanë lënë të dorëzohem. Për atdheun tim ku ka rrënjët familja ime. Çfarë emocionesh të pastra”, ka thënë Granit Xhaka për SRF.








13 Dec 2025 





