Sot, presidenti i Tiranës dhe trajneri Ze Maria dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp për të njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve për shkak të rezultateve të dobëta.
I pari që mori fjalën ishte presidenti i Tiranës, i cili u shpreh se zyrtarisht “i jepet fund kontratës me Ze Marian”. Më pas trajneri brazilian shpjegoi me keqardhje se përse u mor ky vendim, në konsensus të plotë mes palëve.
Në deklaratën e tij Ze Maria e pohoi se marrëveshja u arrit në konsensus të plotë dhe se çdo president ka të drejtën e tij, të shkarkojë trajnerin për rezultate të dobëta. I vetmi peng i tij ishin tifozët bardheblu, për të cilët ai tha se kanë pasion për ekipin dhe ata ishin objektivi kryesor i tij për t’i kënaqur.
Trajneri tha se divorci ishte i domosdoshëm dhe se nuk mund të drejtonte gishtat për disa faje në ekip. Ai thjesht shpresonte që me kalimin e kohës Tirana, të ngrihet në nivele më të larta.
Përsa i përket rikthimit në kampionatin shqiptar, trajneri la të hapur çdo mundësi.