INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tahiri:

Tahiri: "Të dënohet dhuna ndaj kafshëve" [Deklarata e plotë]

Publikuar më: 15:33 11-10-2017

Ish ministri Samir Tahiri në një deklaratë për mediat është shprehur se ka kërkuar ndryshim të Kodit Penal, konkretisht të dënohen personat qe dhunojnë kafshët, dhe ndryshimin e dënimit për personat që kapen me drogë.

Deklarata e Tahirit

E para, duke u nisur nga fenomene të njëpasnjëshme të dhunës kundër kafshëve. E pashë me vend që të propozoj disa ndryshime në Kodin Penal për të ndaluar njëherë e mirë fenomenet e dhunës që nuk kanë të bëjnë vetëm me kafshët, e theksoj këtë. Kanë të bëjnë me dhunën në tërësi.

Ai që dhunon një kafshë sot, nesër dhunon patjetër një familjar, pastaj do të bëhet patjetër rrezik për shoqërinë, kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, kam rikujtuar për parlamentin, propozimet që janë bërë një vit më parë për disa ndryshime lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Është vetëm Shqipëria vendi ku lejohet që të dënohet njëlloj si ai që kapet me një gram hashash dhe ai që kapet duke trafikuar tonelata. Si ai që kultivon dhjetë rrënjë hashash dhe si ai qytetari i republikës në një zonë të thellë, si ai tjetri që kultivon hektarë të tëra dhe këta dënohen njëlloj.

Kjo deri më sot ka shërbyer për gjykatën si një mënyrë për të pasur më shumë padrejtësi dhe për të pasur më shumë korrupsion duke dënuar ata që nuk kanë mundësi dhe duke lëshuar nga duart e drejtësisë ata që kanë mundësi të korruptojnë gjykatat.

Dhe po kështu disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me kodin rrugor. Kam menduar që t’ia rikujtoj parlamentit të gjitha këto ndryshime në Kodin Penal, sepse unë besoj që organet ligjzbatuese nga njëra anë dhe drejtësia nga ana tjetër e kanë të pamundur dhe pa mjete të bëjnë drejtësinë ashtu siç duhet, për shkak se mungon ndryshimi i duhur në Kodin Penal dhe në legjislacion në tërësi. Unë shpresoj që Parlamenti të dalë nga heshtja pas më shumë se sa një vit dhe t’i marri në shqyrtim këto ndryshime në Kodin Penal pa pritur më shumë kohë.

Ne nuk na falet si shoqëri që të kemi ende dhunë ndaj kafshëve që nesër pastaj kthehet në dhunues ndaj familjeve dhe shoqërisë, ashtu siç nuk na falët më të ketë një drejtësi ndryshe për ata që nuk kanë mundësi dhe një drejtësi ndryshe për ata që arrijnë ta korruptojnë gjykatën.

Ndaj unë shpresoj që kjo do të shërbej si një debat i nevojshëm edhe për shoqërinë, por mbi të gjitha edhe për Shqipërinë, sot dhe nesër me më shumë drejtësi për ne dhe për fëmijët tanë në tërësi.

Article Logic
Execution time: 0.0039629936218262