Kupa e Botë ka hyrë në një fazë të nxehtë ku skuadrat më të forta do të përballen me njëra-tjetrën. Brazil- Belgjikë është supërsfida e kësaj mbrëmje.
Përballja mes pesë herë kampionëve të Botës dhe “gjeneratës së artë” të Belgjikës vjen me një skenar që nuk imagjinohej vite më parë, me “Seleçao” që ka mbrojtjen më të mirë me vetëm një gol të pësuar dhe me Belgjikën që ka sulmin më produktiv në “Rusi 2018” me 12 gola të shënuar.
Këto dy ekipe janë ndeshur katër herë me njëri-tjetrin. Brazili ka fituar tre nga këto sfida ndërsa Belgjika ka fituar vetëm miqësoren e parë, luajtur në vitin 1963. Ekipi i Tite nuk ka humbur asnjë nga 16 ndeshjet e fundit, ndërsa Belgjika nuk e njeh disfatën për 22 ndeshjesh, që nga humbja ndaj Uellsit në çerekfinalet e Euro 2016.
Pesë herë kampionët i Botës, janë eliminuar në çerekfinale në dy nga tre kampionatet e fundit botëror nga ana tjetër Belgjika, , e ka arritur rezultatin më të mirë në vitin 1986 kur shkoi në gjysmëfinale, por u eliminua nga Argjentina e Maradonës. Brazili ka fituar në tre nga katër rastet që ndeshja ka shkuar me penallti në një Kupë Bote, ndërsa Belgjika ka fituar në çerekfinalen e vitit 1986 ndaj Spanjës, në të vetmin rast kur ndeshja e tyre është vendosur nga penalltitë.








6 Nov 2025 





