Thomas Strakosha është bërë çështje e ditëve të fundit në merkaton italiane. Portieri i Kombëtares është në listën e dëshirave të Liverpulit, por edhe të Bajer Leverkusenit. Madje, kjo e fundit bëri edhe një ofertë në adresë të skuadrës kryeqytetase në Itali. Mediat italiane kanë zbardhur edhe kushtet që kërkon klubi italian për të lënë të lirë gardianin kuqezi. Lidhur me këtë situatë ka folur edhe i ati i tij, Foto.
Disa vite më parë, Strakosha ishte një portier i huazuar te Salernitana, një skuadër satelit e Lacios në seritë e ulëta italiane. Mirëpo, drejtori sportiv Tare, siç i besoi në start për ta transferuar në Itali nga Greqia, e thirri shqiptarin në skuadrën kryeqytetase.
Një sezon në hije të Marketit dhe Etrit Berishës, i shërbyen Thomasit që të fitonte besim dhe maturi. Një vit më parë, dëmtimi i Marketit bëri që gardiani shqiptar të gradohet titullar. Nisur nga interesimet e shumta aktuale për shërbimet e portierit, presidenti Lotito ka caktuar një çmim. Mediat italiane bëjnë me dije se Lacio nuk do të heqë dorë nga gardiani, pa të paktën 40 milionë euro. Deri më tani, Liverpul apo edhe Bajer Leverkusen, janë përfolur për oferta deri në 30 milionë euro.
Nisur nga eksperienca e viteve të fundit me talentet, drejtuesit bardhekaltër kanë bërë rezistencë për largimin e tyre, duke përfituar maksimalisht. Mjaft të kujtohet që Thomas Strakosha i ka kushtuar Lacios vetëm 75.000 euro.








18 Dec 2025 





