Këngëtarja dhe moderatorja Rozana Radi reagoi mbrëmjen e djeshme në emisionin Goca dhe Gra lidhur me një lajm të rremë që qarkulloi pak ditë më parë në rrjet, ku pretendohej se ajo kishte ndërruar jetë.
Ajo tregoi se ky lajm kishte shkaktuar shqetësim të madh te njerëzit e saj të afërt. Sipas saj, shumë persona e kishin kontaktuar për t’u siguruar që ishte mirë, ndërsa një nga reagimet më prekëse kishte ardhur nga mësuesja e saj e fillores.
“Po bëja dush dhe kur dola pashë që kisha shumë mesazhe. Thashë: ‘Po mirë jam, pse po më pyesin të gjithë?’”, u shpreh ajo, duke treguar momentin kur kuptoi situatën.
Më tej, ajo ndau edhe mesazhin emocional që kishte marrë nga mësuesja e saj: “Shyqyr, po dridhem, jam në punë dhe nuk po punoja dot. Shyqyr o Zot”.
Në fjalën e saj, Radi ngriti edhe shqetësimin për mungesën e kufijve në publikimin e lajmeve të rreme: “A kemi një ligj ne që na mbron? Nuk ka asnjë limit, ka ndodhur me shumë personazhe”.
Në fund, ajo pati një reagim ironik ndaj personit që kishte shpërndarë lajmin: “I them atij personit që e ka publikuar, uroj ta kesh jetën shumë të gjatë, megjithatë do rroj tre ditë më shumë se ty”.








17 Mar 2026 





