INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rënia e vlerës, BSH bleu 463 milionë euro por sërish pa efekt

Rënia e vlerës, BSH bleu 463 milionë euro por sërish pa efekt

Publikuar më: 10:57 01-04-2019

Rënia drastike e euros gjatë vitit të shkuar bëri që banka qendrore e Shqipërisë të ndërmarrë disa masa të jashtëzakonshme në tregun vendas.

Për ta rivlerësuar monedhën, Banka e Shqipërisë ka blerë një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në vitin 2018.

Pjesa më e madhe e kesaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros.

Ndërhyrjet për këtë funksion kanë qenë të forta në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërsa në të parin dhe të katërtin, banka ka ndërhyrë në treg vetëm në funksion të rritjes së rezervës valutore.

Konkretisht, për rritjen e rezervës valutore, Banka ka blerë gjithsej në 2018-n rreth 124 milionë euro.

Në tremujorin e dytë dhe të tretë, BSH bleu gjithsej 223 milionë euro, nga të cilat 71.50 milionë euro kanë qenë oferta për konvertimin e kapitalit të bankave.

Përveç këtyre ndërhyrjeve, gjatë muajit qershor, Banka e Shqipërisë, në marrëveshjet e këmbimit, ka blerë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) 116.22 milionë euro, në kuadër të konvertimit të një kredie për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

Po këto masa nga Banka e Shqipërisë duket se nuk përmbushën synimin.

Edhe pse Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 460 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët, sërish kjo e fundit shënoi nënçmimin më të madh vjetor që nga 2004-a.

Për gjithë vitin 2018 kursi mesatar i këmbimit të euros ndaj lekut ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë.

 

Article Logic
Execution time: 0.0039958953857422