Në konferencën për shtyp trajneri Halili foli hapur dhe pa rezerva për largimin e trajnerit dhe për gjendjen momentale të ekipit.
Për fjalët se ai kishte bërë presion për largimin e trajnerit, presidenti tha se së shpejti do publikojë dokumentet ku çdo gjë do jetë plotësisht transparente dhe e qartë se marrëveshja është mbyllur në mënyrë miqësore dhe ku ai e falenderonte Ze Marinë për profesionalizmin që ka treguar, gjë që vetëm një trajner i madh mund ta bëjë, sipas Halilit.
Për akuzat se ai ndërhyn te puna e trajnerëve, presidenti tha se mund të pyesni cilindo trajner të mëparshëm të Tiranës, për raportin me të. Ai tha se deri tani nuk e ka bërë kurrë, por sot e tutje do e bëjë, sepse sipas tij disa gazetarë kanë krijuar lidhje misterioze me trajnerët duke ndërhyrë të ndërtimi i formacionit.
Për organizimin e dobët të ndeshjeve, Halili tha për kritikuesit të shikojnë dhe njëherë mirë numrin e tifozëve që vijnë nëpër ndeshje dhe gjendjen e stadiumit, ku nuk është thyer kurrë një stol dhe nuk ka asnjë gërvishtje.
Për rezultatet e dobëta të ekipit, presidenti tha se faji shkon që nga punëtori i fushës e deri tek ai dhe askujt nuk mund t’i drejtohet gishti.
Për trajnerin e ri, Halili tha se shumë shpejt do jepet njoftimi, madje që nesër priten lajme të reja. Ai tha se largimet e shpeshta të tifozëve shkaktohen nga tifozeria e zjarrtë tiranase: “Presioni është shumë i madh, kemi një tifozeri mjaft kërkuese. Ua them të gjithëve, nuk ka tifozeri si e jona në Shqipëri, është e mrekullueshme dhe e panumërt. Jam treguar shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, tifozët duan rezultate dhe pa to nuk ecet përpara.”