INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nuk “mungon” urimi i Dritoro Agollit për fitoren e socialistëve në zgjedhje

Nuk “mungon” urimi i Dritoro Agollit për fitoren e socialistëve në zgjedhje

Publikuar më: 11:00 30-06-2017

Edhe pse jo fizikisht, patriarku i PS Dritëro Agolli e ka një mesazh përherë për socialistët. Edhe pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, ai e ka uruar kryeministrin Edi Rama. E këtë e ka bërë nëpërmjet bashkëshortes Sadije Agolli, e cila në një letër të posaçme, i ka dërguar kreut të qeverisë edhe një poezi të vitit 2014, shkruar nga dora “e dridhur” e Dritëroit.
Përmes kësaj letre, Sadija i sugjeron kryeministrit të realizojë ato reforma të nisura në drejtësi apo në ekonomi për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Por, ajo tregon për herë të parë, pas kaq muajsh të ndarjes së shkrimtarit, edhe ankimin dhe psherëtimën e tij të fundit, në spital: “Përsëri po zihen këta?!”.
Letra e plotë e Sadije Agollit, drejtuar kryeministrit Edi Rama
I dashur Edi,
Ju uroj shumë suksese në mandatin tuaj të dytë.
Të uroj, në radhë të parë, si djali i një çifti krejt të veçantë dhe dinjitoz për kohën që jetuam, i një babai shumë të talentuar, shumë fisnik, shumë punëtor dhe që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe i një mamaje të fortë, kurajoze, burrneshë, siç i themi ne veriorët.
Të uroj që edhe Ti Edi, me ekipin tënd dhe popullin përkrahës që të dhanë votat në zgjedhjet e 25 qershorit të lini gjurmë të mira me këtë mandat të dytë dhe të na nderosh edhe si pasardhës i denjë i brezit tonë, që përfaqësojmë një të kaluar jo pa luftë, jo pa përpjekje dhe sakrifica për vendin tonë, Shqipërizën e përvuajtur, por me histori të bukur në të gjitha fushat, që po e trashëgoni Ju në vitin 2017.
Në këto 27 vjet luftë dhe përpjekje për të ndërtuar demokracinë e vërtetë në Shqipëri, krahas shumë ndryshimeve në të gjitha drejtimet si dhe mentalitetet, më ka bërë përshtypje të veçantë edhe formimi, zhvillimi dhe përparimi i oratorisë, si bazë dhe institucion i demokracisë që në antikitetin e largët në Greqi e Romë, e cila në përgjithësi tek ne, me raste tepër të veçanta, ka qenë shabllone, me parafabrikate, e njëllojtë, për dekada të tëra.
Do të dëshiroja që ju ta zhvilloni dhe përsosni më shumë, jo vetëm me figura letraro-artistike, por me konkretizim real të premtimeve, duke mos e ndotur me fjalor të pistë, sharës dhe fyes për cilindo dëgjues të gjuhës së bukur shqipe.
Në grupin e oratorëve të mirë jeni dhe Ju Edi, prandaj dëshiroj që, krahas përsosjes së oratorisë, të realizoni edhe ato reforma, që Ju dhe ekipi drejtues, mendoni t’i realizoni në drejtësi dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare, në përmirësimin e jetesës së shqiptarëve, që duan vendin e tyre dhe dëshirojnë të jetojnë, të punojnë dhe të mbyllin sytë në këtë vend të bukur dhe shumë të lashtë.
Edhe njëherë Ju uroj sa më shumë suksese, pasi ndikojnë jo vetëm në jetën tonë fizike, por edhe atë shpirtërore dhe psikologjike, duke larguar nga fjalori ynë i përditshëm shprehjen: Ky vend nuk bëhet, me këta politikanë që prodhojnë të tilla situata politike.
Këtë urim e bëj dhe në emrin e Dritëroit, i cili deri sa mbylli sytë në spital, psherëtima dhe ankimi i fundit ishte: “Përsëri po zihen këta?!”. Besoj se çdo shqiptar i thotë këto fjalë, pasi jemi të lodhur dhe duam e meritojmë të gjithë si popull një jetë më të mirë për bijtë tanë.
Po e mbyll me një poezi të Dritëroit, të shkruar me duart që i dridheshin në vitin 2014: “Plaku dhe plaka”. Ai vetëm në poezi shkruante fjalët plak dhe plakë, ndërsa kur bisedonim, thoshte: “Ne të moshuarit, derisa mendja dhe truri nuk kanë zënë sklerozë ose myshk apo më mirë ndryshk, mund të mos përdorim fjalën plak dhe plakë”.
Plaku dhe plaka
Një ngjarje e lashtë,
Një serial
Televiziv natyrisht,
Në tryezë një tufë me letra,
Ku fshihet një puthje
E brishtë
Dhe dy kanatjere
Të vjetra,
Nën hënën mbi mal
Si malli…
2014 e ca
Ta rishkrova këtë poezi për ta pasur si kujtim edhe shkrimin e Dritëroit në moshën 83-vjeçare, 2 vjet e gjysmë para se të ndahej nga jeta.
Me dashuri,
Sadije Agolli
Tiranë, 29 Qershor 2017
Fjala e fundit
Këtë urim e bëj dhe në emrin e Dritëroit, i cili deri sa mbylli sytë në spital, psherëtima dhe ankimi i fundit ishte: “Përsëri po zihen këta?!”. Besoj se çdo shqiptar i thotë këto fjalë, pasi jemi të lodhur dhe duam e meritojmë të gjithë si popull një jetë më të mirë për bijtë tanë.

 

Article Logic
Execution time: 0.0056009292602539