INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një shëtitje në ish-burgun e Spaçit – Simboli i lënë në harresë

Një shëtitje në ish-burgun e Spaçit – Simboli i lënë në harresë

Publikuar më: 17:27 06-06-2018

E gjendur në rajonin e varfër dhe me popullësi të ulët të Mirditës, në zonën qendore të veriut të Shqipërisë, lugina shkëmbore e Spaçit është krejtësisht e vetmuar, një burg natyral i izoluar nga bota. 
Ndërkohë që makina devijoi rrugën normale të autostradës për t’u futur në një tokë të pashtruar buzë greminës, e vetmja gjë që më shkonte ndërmend ishte se si mund të ishte udhëtimi me autoburg në këtë Alkatraz malor. Zhegu i vapës sa vinte e bëhej më mbytës. Përveç dhive të cilat dukeshin si të ishin në shtëpinë e tyre, nuk hasëm asnjë shenjë tjetër jete.
Por ishin pikërisht këto kushte të cilat bënë që gjatë viteve 1960 autoritetet Komuniste të Shqipërisë ta vinin re dhe ta përdornin. Ata ndërtuan atje një burg me modelin e gulagut Stalinist – kushte të ashpra natyrore të kombinuara me punën e detyruar në minierë. Ata ndërtuan burgun famëkeq të Spaçit. 

spac_1.jpg

Ne po shkonim drejt tij si pelegrinë, me shpresën se duke kujtuar nuk mund të harrojmë dhe nëse nuk e harrojmë këtë vend emblematik të tmerrit të persekutimit komunist , ai nuk do të lihet pas dore.
Retrospektivë Infrastrukturore
Zoti Zenel Drangu, një ish i burgosur politik nga Shkodra na kthen pas në kohë duke treguar se si në një hapësirë boshe ku ne ndaluam makinën, dikur ishte një derë e madhe hekuri.
“Aty vinin familjarët e të burgosurve pavarësisht kushteve të këqija. Vinin duke e ditur se shanset për të takuar njeriun e tyre ishin thuajse të pamundura. Nuk pyesnin për mot, për rrugë apo për përdhunimet e mundshme.” – tha ai.
Me të dalë e me t’u nisur drejt asaj ç’ka mbetur nga burgu, të gjithë ramë në një gjendje të çuditshme. Dukej sikur gjithë tmerri, frika dhe brutaliteti i akumuluar ndër vite jetonte ende në ato hapësira të braktisura.

“Isha shumë e vogël por ama mbaj mend njerëz, përgjithësisht gra të cilat vinin e rrinin mbas portës së madhe të hekurt e qanin… Qanin me orë të tëra.” – shtoi Drita Nikolli, dikur banore e fshatit të Spaçit.

Burgu ishte i ndërtuar mbi tarracat e një rrëpire të pjesës malore ku ne, vende-vende u detyruam të ndihmonim njeri-tjetriN. Sipër tij ndodheshin pesë hyrje për në minierë, në nivele të ndryshme. Nuk patëm mundësi të shkonim pasi ishte shumë e rrezikshme. Dy godinat e qelive dhe godina të tjera mbështetëse ishin ndërtuar mbi një platformë të improvizuar që sheh mbi lum. Megjithëse lumi ishte shumë poshtë nesh, dallohej lehtë ngjyra e tij, një ngjyrë okri e cila vinte si pasojë e efektit të minierës së piritit.
Në ecje e sipër nëpër godina hasje vetëm një zbrazëtirë e cila të rëndonte kraharorin. Ecnim e përpiqeshim mos të shkelnim jashtëqitjet e pafundme të dhive apo copëzat e shkatërruara të godinave. Në një mur arrita të lexoj fjalën arabe “haram” e diku tjetër parrulla të partisë.

spac_2.jpg


Mbi njërën nga godinat e qelive, kishte mbirë një pemë. Këtë fenomen askush nuk na e shpjegoi dot; si mund të mbijë një pemë mbi beton në kushte atmosferike të cilat variojnë nga njëri ekstrem në tjetrin?
Dukej sikur ajo pemë kishte mbirë si një simbol i rezistencës dhe i shpresës.
“Është rritur me lotët dhe djersën e të burgosurve”. – tha kryetari i Komunës së Oroshit, bashkëudhëtari ynë si në rrugën e si në misionin tonë.

spac6.jpg

Ky grumbull godinash formonte bërthamën e kompleksit të burgut, i ndarë nga pjesa jugore prej asaj hapësirës ku dikur ishte porta kryesore. Zoti Drangu i cili na udhëhiqte gjithë kohën në këtë udhëtim deri diku imagjinar, na shpjegoi se largësia e burgut dhe terreni i pjerrët kishin shmangur ndërtimin e mureve perimetrale. Në vend të tyre, rrethimi me tela me gjemba, i kontrolluar me vendroje të rastit, mbyllnin gjithë kompleksin, duke u bashkuar te porta hyrëse.
Menjëherë jashtë kësaj porte qëndronin godinat e administratës. Më poshtë rrugës, dy kulla të larta strehonin stafin teknik të minierës dhe burgut, me familjet e tyre.

Por kujdes; kur thuhet godina gjithmonë nënkuptohet ajo çfarë ka mbetur prej tyre (madje disave u ka ngelur vetëm hija), kur përmenden tela dhe hekura duhen mbyllur sytë për t’i parë pasi ato kanë vite të cilat janë vjedhur e shitur për skrap.

5.jpg

Retrospektivë historike
Para vitit 1968, Shqipëria komuniste kishte dy lloj burgjesh – burgje izolimi dhe kampe për punë të detyruar. Në Spaç kombinoheshin të dyja. Ashtu si në vende të tjera Komuniste, shumë nga të burgosurit në Shqipëri u burgosën për arsye politike. Me një numër maksimal prej rreth 1400 të burgosurish, Spaçi ishte një hallkë e vogël në makinerinë e madhe të shtypjes, por kushtet ç’njerëzore të minierave të cilat ne mund t’i shihnim vetëm nga larg dhe profili i lartë i disa prej të burgosurve politikë, shumica prej tyre intelektualë, i dha këtij vendi një peshë të madhe simbolike. Të gjithë ishim shumë kuriozë të dinim sa më shumë dhe Zoti Drangu u tregua i palodhur në tregimin e historive që kishin ndodhur në 13 vitet e qëndrimit të tij në këtë vend.


“Ka ekzistuar një episod rezistence në këtë ferr ku dhe mendimet s’ishin të lira - revolta e Spaçit. Në 21 deri 23 Maj 1973, të burgosurit e Spaçit morën kontrollin e burgut përmes një revolte të përgjithshme. Kjo ngjarje është një nga çastet më vendimtare në historinë e këtij vendi. Dy ishin arsyet e fillimit të revoltës në këtë vit të veçantë.


E para ishte një lëvizje lehtësisht liberalizuese që dukej sikur po ndërmerrte Partia Komuniste në fillim të viteve ‘70, por që rezultoi thjesht një iluzion, që u shpërbë plotësisht po nga vetë Partia. 
E dyta arsye shpjeguese e revoltës ishin kushtet mesjetare të punës në miniera. Të burgosurit ishin të detyruar të punonin në to me orë të stërzgjatura, duke përdorur mjete primitive pune në një nxehtësi mbytëse që mund të arrinte shpesh deri në 40 gradë në minierat e piritit, e duke shkatërruar kështu mushkëritë e tyre nga lloj-lloj pluhurash e tymrash toksikë. Kështu trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore mijëra vetë, ndërkohë që regjimi trumpetonte me të madhe që “Njeriu është kapitali më i çmuar”.


Për më shumë se dy ditë të burgosurit mbajtën nën kontroll një pjesë të kampit, duke arritur madje të ngrinin flamurin kuqezi pa yllin komunist (flamuri ynë i sotshëm) duke bërtitur njëzëri fjali të palejueshme për kohën si 
“Ne jemi me Europën e lirë!”, “Vdekja a liri” apo “Poshtë komunizmi!”. – tha zoti Zenel shumë i përqëndruar duke ngritur dorën në drejtimin ku si duket ishte ngritur flamuri. 
“Për shumë vetë ajo që ndodhi në Spaç ishte e para revoltë kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Pas shtypjes së revoltës, udhëheqësit e saj u ekzekutuan ose panë te ashpërsoheshin së tepërmi dënimet e tyre me burgim, por kjo ngjarje e ktheu Spaçin në një gur themeltar të kujtesës kolektive shqiptare.”

P.S.: Mos më harro


“Vitet e para të 90-ve sollën fillimisht mbylljen e minierave duke paraprirë kështu kyçjen graduale të burgut, të braktisur përfundimisht në vitin 1995. Që atëhërë, ky vend duket që ka pësuar shumë degradim e është lënë tërësisht pas dore edhe pse u shpall Monument i kategorisë së dytë në dhjetor 2007. Në vitin 2009, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve vendosi që Spaçi të restaurohej për t’u kthyer në një muze, por ky projekt është ende në ajër sot, në 2014.” – tha Mirian Bllaci, drejtues i projektit të dialogjeve për Spaçin fill mbasi vendosëm të largoheshim.
Duke u larguar të dukej sikur këto godina do të shkërmoqeshin e do të vidheshin deri në hiç.
Zoti Drangu, duke iu afruar të 80-ave, teksa ecte me siklet të madh në rrugën e kthimit, të bënte të mendoje se jo vetem burimet fizike por edhe ato të gjalla po shuhen.

Ndërkohë të dukej sikur ato shkurre të volga që të ngecnin e të ngjiteshin ndër këmbë donin që të mos të harronim.
Dhitë po afroheshin përsëri. Vetem thundrat e tyre mund të ishin në gjendje të lëviznin lirshëm në atë terren. Blegërima të hidhura ishin ato çfarë na shoqëruan kur hipëm në makinë, ato çfarë ne shpresuam mos të ishin lamtumira që ne do të merrnim me vete nga kjo copëz fizike e historisë sonë…

spac_4.jpg

Nga Dafne Bajraktari

Article Logic
Execution time: 0.0039639472961426