INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një lutje nga Meta për Berlinin, “Me përulje ju ftoj...”

Një lutje nga Meta për Berlinin, “Me përulje ju ftoj...”

Publikuar më: 11:55 07-06-2019

Presidenti Ilir Meta pasi nuk ia doli të ulte dy palët politike në një tryezë, ka kërkuar ndihmën e Berlinit. Sot ai ishte në takimin “Mëngjesi i Lutjeve” në Berlin ku u tregoi deputetëve të Parlamentit gjerman përpjekjet dhe thirrjet që janë bërë për të vendosur dialog, e për t’i dhënë fund turbullimeve të shkaktuara prej politikës në vend.

“Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndërfetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar”, ka thënë Presidenti.

Në Takimin e 24-të Ndërkombëtar të Berlinit Presidenti Meta u tregoi zyrtarëve dhe për dëshirën e shqiptarëve për t’u anëtarësuar.
“Duhet të ndaj me ju faktin se bashkatdhetarët dhe bashkëatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë. Megjithëse një vend modest, ne nuk u shmangemi përgjegjësive tona më të mëdha në lidhje me rendin paqësor global”, është shprehur Meta.
Por ndërsa kreu i shtetit shqiptar ua tregoi zyrtarëve berlinezë kërkesën e shqiptarëve, mediat gjermane dhanë lajmin se kancelarja Angela Merkel ka vendosur t’i mbyll Shqipërisë derën e anëtarësimit.
Në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të dhëna nga mediat gjermane, Merkel e ka bërë të qartë se një vendim tjetër mund të pritet jo më herët se muaji tetor. Dje ishte Holanda që nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm bëri me dije se më 18 qershor Shqipërisë nuk do t’i hapet drita jeshile e Brukselit.

Article Logic
Execution time: 0.0039010047912598