Detaje të reja nga filmi i shumëpritur “Loja e fundit” me Kiara Tito dhe Luiz Ejlli po ndezin diskutime në rrjet, teksa publiku po fokusohet gjithnjë e më shumë te personazhet që dyshja interpreton në ekran.
Sipas informacioneve të zbuluara së fundmi, personazhi i Luiz Ejllit mban emrin Luiz Belli, ndërsa Kiara Tito shfaqet në rolin e Kiara Pipo. Një përzgjedhje emrash që nuk ka kaluar pa u vënë re, për shkak të ngjashmërisë së dukshme me identitetin real të dy protagonistëve, duke shtuar edhe më shumë kureshtjen rreth historisë së filmit.
Megjithëse ky detaj ka ngjallur aludime, bëhet e ditur se filmi nuk rrëfen jetën reale të Kiarës dhe Luizit. Historia është tërësisht fiktive, e ndërtuar mbi personazhe të imagjinuar, ndërsa ngjashmëritë ndalen vetëm te emrat dhe kimia emocionale që dyshja transmeton në ekran.
Pikërisht kjo afërsi emocionale mes protagonistëve është ajo që i jep filmit një ndjesi reale dhe personale për publikun, duke e bërë më të besueshëm rrëfimin. Përveç Kiarës dhe Luizit, në kastin e aktorëve përfshihen edhe Akil Varfi, Eglein Laknori, Besnik Çinari, Drande Xhaj.
Filmi vjen nga producentja dhe skenaristja Klaudia Brahimaj, me regji të Bjordi Mezinit, ndërsa premiera pritet në muajin shkurt. Ndërkohë, detaje të tjera rreth historisë dhe personazheve pritet të zbulohen gradualisht, duke mbajtur gjallë interesin e publikut për një nga projektet më të komentuara të momentit.








7 Jan 2026 





