Hyrja surprizë e Mateos në shtëpinë e Big Brother VIP Albania ka trazuar jo vetëm lojën, por edhe emocionet e Brikenës, reagimi i së cilës u vu menjëherë në qendër të vëmendjes. Qëndrimi i saj i distancuar dhe i ftohtë ndaj tij ngriti dyshime se mes tyre ekzistonte një e kaluar e pazgjidhur, shumë më e thellë sesa një njohje e zakonshme.
Për të sqaruar situatën ka ndërhyrë Anaid Kaloti, i cili përmes një reagimi në rrjete sociale ka zbuluar detaje të panjohura më parë mbi raportin e dyshes. Sipas tij, komunikimi mes Mateos dhe Brikenës ka zgjatur rreth një vit, duke përfshirë biseda të vazhdueshme dhe një afrim emocional të ndërsjellë.
Anaidi thekson se përplasja mes tyre ka ardhur në momentin kur Brikena ka kërkuar që marrëdhënia të bëhej më serioze dhe të prezantohej me familjen e saj. Mateo, nga ana tjetër, ka preferuar të mos e hidhte këtë hap në atë fazë, duke dashur më parë të njihte më mirë Brikenën. Ky qëndrim ka sjellë ftohjen dhe distancën mes tyre.
Në reagimin e tij, Kaloti sqaron se hyrja e Mateos në BBVA nuk lidhet me Brikenën, por me dëshirën e tij për të qenë pjesë e lojës dhe për të ndjekur ambiciet personale. Ai shton se mes tyre ekziston vetëm një foto e vetme, e njohur nga të dyja palët dhe nga produksioni.
Anaidi nuk ka lënë pa komentuar as reagimet në rrjet, duke dalë në mbrojtje të Brikenës përballë komenteve negative, të cilat i cilëson të padrejta dhe të tepruara. Ai e përshkruan Brikenën si një vajzë të denjë dhe bën thirrje që gjykimet të jenë më të balancuara.









7 Jan 2026 





