INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Negociatat, paralajmërimi i Gjermanisë për qeverinë dhe opozitën

Negociatat, paralajmërimi i Gjermanisë për qeverinë dhe opozitën

Publikuar më: 11:04 07-02-2019

Ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, gjatë një interviste për Dutsche Welle ka thënë se Shqipëria duhet të vijojë reformat, ndërsa opozita të miratojë Kodin Zgjedhor.

Pas takimit me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, zyrtari i lartë gjerman se në prag të marrjes së dritës jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, çdo vend kandidat matet me arritjet e veta.

“Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë. Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu”, – tha ai.

Në verën e vitit të kaluar, në një intervistë me DË, jeni shprehur pozitivisht për procesin e vettingut. A jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të tij?

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar, është duke ecur mirë. Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre. Megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?
Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?
Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?
Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër. Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?
Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme.

Article Logic
Execution time: 0.0018630027770996