Këngëtari i njohur Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, është vendosur në paraburgim për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas një incidenti të ndodhur së fundmi në ambientet e kompanisë “Onima”.
Sipas autoriteteve, artisti dyshohet për disa vepra penale, përfshirë kanosje, dëmtim të pronës dhe mbajtje pa leje të armës. Ngjarja thuhet se ndodhi pas një konflikti që lidhej me një borxh të papaguar.
Gjatë seancës dëgjimore, Kelmendi ka shprehur pendesë për veprimet e tij, duke thënë se reagimi i tij ishte i nxitur nga emocionet. Ai deklaroi se ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike në momentin e incidentit dhe kërkoi falje ndaj gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar.
Avokati i tij mbrojtës, Artan Qerkini, kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke argumentuar se veprimi i këngëtarit ishte një reagim impulsiv. Sipas tij, Gjesti po përballet prej kohësh edhe me vështirësi financiare, pasi nuk ka pasur aktivitete muzikore në periudhën e fundit. Avokati shtoi gjithashtu se artisti është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Sipas raportimeve të “Betimi për Drejtësi”, gjatë incidentit këngëtari dyshohet se ka hyrë në zyrat e kompanisë “Onima”, ku ka shkaktuar dëme materiale duke thyer kompjuterë dhe xhama, ndërsa më pas ka nxjerrë edhe një armë duke kërcënuar personat që ndodheshin aty.
Gjykata e ka konsideruar të arsyeshme kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit për Gjestin do të jetë në fuqi nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.








8 Mar 2026 





