INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kush shpenzon më shumë para në restorante, studimi tregon qejflinjtë por dhe të varfrit e vendit

Kush shpenzon më shumë para në restorante, studimi tregon qejflinjtë por dhe të varfrit e vendit

Publikuar më: 09:25 23-10-2018

Restorantet po kthehen gjithnjë e më shumë të frekuentuar nga qytetarët. Por e keni menduar ndonjëherë se kush nga qytetet shpenzon më shumë para në restorante? 

Të gjithë i njohim shkodranët si njerëz të qejfit, me humor dhe Shkodrën si djep i kulturës. Sipas INSTAT Shkodra mban rekordin për shpenzimet në restorante dhe hotele, ku sipas të dhënave në Anketën në Buxhetit të Familjeve 2017, shpenzimet për restorantet dhe hotele ishin sa 9.5% e totalit të të gjitha shpenzimeve. Mes tundimit nga krapi i liqenit, lokalet buzë lumit, apo alternativat e detit (Velipojës) e zonave malore aty rrotull. Nga të dhënat thuhet se shpenzimet për restorante në Shkodër janë edhe më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ku sipas të dhënave të Eurostat zinin rreth 8% në totalin e shpenzimeve të familjeve.
Krahasuar me mesataren kombëtare, familjet në Shkodër shpenzojnë gati dyfish më shumë. Në 2017-n shpenzimet mesatare në vend për restorante dhe hotele ishin 5%.
Shpenzimet për “Restorante dhe hotele” kanë regjistruar një rritje prej 11,8 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “restorante”, raporton INSTAT në anketë.
Po cilët janë qarqet e tjera me shpenzimet më të larta në restorante?
Pas shkodranëve, shpenzimet më të larta në raport me totalin i kanë beratasit. Qarku i Beratit shpenzoi mesatarisht në 2017-n 6.3% për restorante dhe hotele, duke u pasuar nga Fieri (6%), Lezha (5.8%) dhe Tirana me 5.5%.
Korça, gjithashtu, i ka shpenzimet për restorante më të larta se mesatarja kombëtare me rreth 5.4% të totalit.
Në qarkun e Dibrës, shpenzimet për restorante dhe hotele në 2017-n ishin 4.2%.
Natyrisht pas listës së qarqeve që shpenzojnë më shumë para për tu ushqyer në restorante ka dhe nga ato qytetet ‘dorështrënguar’ që nuk shpenzojnë.
Edhe pse Durrësi dhe Vlora janë të njohur, për vetë pozicionimin e tyre buzë detit, për restorantet e mira të peshkut, mirëpo vetë vlonjatët dhe durrsakët nuk i shijojnë. Sipas të dhënave të nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, familjet në Vlorë, shpenzuan në restorante vetëm 2.9% të totalit, thuajse sa gjysma e mesatares kombëtare, ndërsa në Durrës vetëm 2%, më pak se gjysma e mesatares kombëtare.
Edhe Gjirokastra është e njohur për një kuzhinë me receta të larmishme, mirëpo gjirokastritët preferojnë që ushqimin ta shijojnë në shtëpi. Sipas të dhënave të ABF 2017 shpenzimet për restorante janë 2.9%. Edhe Elbasani ka përqindje të ulët të shpenzimeve për restorante me rreth 2.6%
Shpenzimet më të ulëta i ka qarku Kukës, me vetëm 1.1% të totalit të shpenzimeve për restorante dhe hotele.

Article Logic
Execution time: 0.0043280124664307