INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryemadhi i dorëzon ambasadores së ODIHR dosjen me manipulimet e votimeve të 30 qershorit

Kryemadhi i dorëzon ambasadores së ODIHR dosjen me manipulimet e votimeve të 30 qershorit

Publikuar më: 15:09 10-07-2019

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është takuar me ambasadoren e OSBE/ODHIR, Audrey Glover. LSI ka njoftuar se Kryemadhi ka vlerësuar raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe ka vënë në dukje “paligjshmërinë skandaloze të votimeve moniste të 30 qershorit”.

Po ashtu, kryetarja e LSI-së është shprehur për veprimet e KQZ që nuk zbatoi vendimin e Metës për anulimin e datës 30 qershor për zgjedhje. “Veprimet e njëpasnjëshme të KQZ dhe gjithashtu aktet e pafundme skandaloze të verifikuara në të gjithë territorin i vunë vulën votimeve moniste të 30 qershorit duke konfirmuar vjedhjen dhe manipulimin e votes si dhe ngjarjet shumë të rënda të ndodhura dhe më parë si në rastin e dosjes 339 e 184 ku Edi Rama dhe Rilindja përfaqësojnë vetëm grabitjen e votave, vjedhjen e tyre, blerjen, dhe kërcënimin”, ka thënë zonja Kryemadhi.
Ajo që cilësohet manipulim dhe vjedhje nga LSI është mbledhur në një dosje që i është dorëzuar sot ambasadores së OSBE/ODHIR, Audrey Glover nga Kryemadhi. “Kjo dosje i vë vulën Edi Ramës dhe qeverisë që kanë humbur çdo të drejtë dhe besimin e të gjithë qytetarëve shqiptar se mund të organizojnë zgjedhje të lira e të ndershme, pasi siç u provua edhe në zgjedhjet ku konkurronte vetëm partia socialiste, votonte vetëm Partia Socialiste dhe numëronte vetëm Partia Socialiste, manipulimet ishin skandaloze duke treguar fytyrën e vërtetë të raportit me shtetin dhe votën e lire”, njoftoi LSI.
Gjithashtu Kryemadhi pohoi se kjo dosje vazhdon të zgjerohet me fakte të tjera të cilat po ofrohen nga burime të shumta informacioni, qytetarë, organizata, etj., dhe sigurisht në vijimësi ODIHR do të informohet për çdo fakt të ri që do të sigurohet.
Një ditë më parë me zonjën Glover u takua dhe kryetari i PD, Lulzim Basha. Raporti final me vlerësimet e OSBE/ODIHR për votimet e 30 qershorit do të publikohet pas dy muajsh.

Article Logic
Execution time: 0.0033690929412842