Presidenti Perez, i njohur për vendosmërinë e tij, duket sikur i kanë ardhur në majë të hundës rezultatet negative të Real Madrid-it.
Julen Lopetegui i ka ditët e numëruara në pankinë. Emërimi i trajnerit spanjoll në krye të “Los Blancos”, pas dorëheqjes së Zinedine Zidane, nuk ka patur impaktin e pritshëm në klubin mbretëror. Në tri ndeshjet e fundit Reali ka pësuar dy humbje dhe ka marrë një barazim, rezultate që e kanë venë trajnerin në qendër të kritikave.
Mediat italiane, më konkretisht, Corriere dello Sport, ka zbuluar se këtë të hënë drejtuesit e Realit kanë nisur kontaktet me Antonio Contën, i cili është pa punë që pas largimit nga Chelsea. Në fakt, italiani u përfol edhe gjatë ditëve të para të qershorit se mund të merrte vendin e lënë bosh nga Zidane, por në atë kohë ai ishte i lidhur me Chelsea-n dhe nuk pranoi të dorëhiqej, duke pretenduar një dëmshpërblim të majme nga presidenti i bluve të Londrës, Roman Abramovich.