INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Frikë dhe pasiguri? Biznesmenët nuk po marrin më kredi

Frikë dhe pasiguri? Biznesmenët nuk po marrin më kredi

Publikuar më: 10:14 06-02-2019

Kredia e dhënë për bizneset, individët dhe institucionet shtetërore ka rënë me 3.2%, ose rreth 17 miliardë lekë më pak në 2018.

Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rënia më e madhe vjetore historike, të paktën që nga viti 1997.
Nga fillimi i viteve 2000 deri në 2011-n, huaja për ekonominë u rrit me ritme të shpejta, edhe me 50% në periudhën 2006-2007. Më pas, ritmet u ngadalësuan, sidomos pas 2008-s, kur jo vetëm vendi filloi të ndjente pasojat e kredisë globale, por edhe kredia e pakthyer në banka arriti në 25%.
Pas kësaj periudhe huadhënia për ekonominë hyri në ngërç, duke reflektuar kujdesin e shtuar të bankave dhe mungesën e projekteve fisibël nga biznesi.
Në vitin 2018, rënia ka ardhur si rrjedhojë e disa faktorëve, që lidhen me tkurrjen e kredisë për bizneset dhe korporatat publike nga njëra anë dhe me nënçmimin e euros dhe fshirjen e kredive nga ana tjetër. Më e qëndrueshme ka qenë huadhënia për individët.
– Kredia për korporatat jofinanciare publike ra me 44% (-16.4 miliardë lekë), ku ndikimin kryesor e dha ristrukturimi i huasë së Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), nga një hua e Bankës Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim, çka solli që huaja t’u shlyhej bankave vendase.
-Edhe kredia për bizneset, që zë peshën kryesore të huasë që bankat kanë dhënë në ekonomi (me gati 60% të totalit), u tkurr me rreth 3% (-11.6 miliardsë lekë). Në rënie ishte si huaja në lekë, ashtu dhe ajo në valutë (kjo e fundit e ndikuar edhe nga zhvlerësimi i euros).
Ndryshe nga bizneset, bankat kanë qenë më të prirura të financojnë individët, të cilët kanë rezultuar kredimarrës më të mirë. Huaja për këtë segment u rrit me 3.7% e udhëhequr nga monedha vendase ndërsa në valutë u reduktua, teksa bankat preferojnë të kreditojnë individët në monedhën që kanë të ardhurat.

Në fund të 2018-s, kredia në lekë zinte 50.7% të totalit, me një rritje të lehtë nga 50.1% në fund të 2017-s. Që prej vitit 2011, kur zinte 60% të totalit, kredia në valutë është rezultuar në mënyrë të vazhdueshme.

Article Logic
Execution time: 0.0041170120239258