INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
DW: Rasti i Llallës, fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj”, ndiqet edhe nga të tjerë

DW: Rasti i Llallës, fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj”, ndiqet edhe nga të tjerë

Publikuar më: 15:10 25-03-2018

‘Transparencë dhe fakte. Me këtë moto Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ( KPK) motori i vettingut, ka filluar këtë javë sesionet e dëgjesave publike të gjykatësve dhe prokurorëve që pretendojnë të jenë pjesë e sistemit të reformuar të drejtësisë’ në këtë mënyrë e hap shkrimin e saj Deutsche Welle kushtuar zhvillimeve më të fundit në Shqipëri sa i përket Vettingut. Në artikull përmendet rasti gjyqtarit Lulo i shkarkuar këtë të premte i cili nuk e kaloi testin e Vettingut, pasi nuk justifikonte një shumë të konsiderueshme parash.

‘Ky është rasti i parë, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon një gjykatës të nivelit të lartë dhe hap procesin e ҫrrënjosjes së ryshfetit dhe korrupsionit në drejtësinë e Shqipërisë duke hedhur bazat për një gjyqësor profesional, të pavarur, me gjykatës e prokurorë me integritet moral. Gjithë procesi i verifikimit dhe vendimet e këtij Komisioni po monitorohen nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë’

Çmontim i kulturës së pandëshkueshmërisë
Lista me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve që do kalojnë në sitën e vettingut është e gjatë, plot 800 syresh. Vetëm 2% ose 17 gjykatës dhe prokurorë dhanë dorëheqjen dhe u vetëpërjashtuan nga drejtesia, para se vettingu të fillonte, duke përfituar nga ligji i vettingut që ua jepte këtë mundësi. Por dorëheqja nuk u jep atyre imunitet për t'i shpëtuar drejtësisë pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kane kryer vepra penale, Drejtësia po tregon se po vepron në bazë të provave dhe fakteve.

Rasti më domethënës është ai i ish- Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia. Atë që nuk e bëri dot organi i akuzës i drejtuar nga Llalla, që erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017, e nisi Departamenti Amerikan i Shtetit. Muajin kaluar ai mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA "për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.

Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare flasin për transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda. Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit. Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DË se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së "peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera.

Article Logic
Execution time: 0.0038080215454102