Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 11 prillit 2026 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku dy persona janë përfshirë në një përleshje fizike që ka eskaluar edhe me të shtëna me armë zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, si pasojë e përleshjes një person ka pësuar lëndime trupore, por jo nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja, ndërsa njësitë e Hetimeve dhe Forenzikës kanë dalë menjëherë në terren.
Zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se një person është shoqëruar në stacion policor, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.
Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se një nga personat e dyshuar në këtë rast është reperi i njohur nga Ferizaj, Betim Januzi, i njohur me emrin artistik “Buta”.
Ky nuk është rasti i parë që Buta përballet me ligjin. Në tetor të vitit 2025, ai ishte liruar nga paraburgimi pas një vendimi gjykate, në një rast ku dyshohej për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Reperi kishte pranuar fajësinë, duke deklaruar se ndihej i penduar dhe se përdorimi i narkotikëve kishte ardhur si pasojë e dobësisë së karakterit të tij.








20 May 2026 





