INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Sfida ime, t’i bëjmë edhe shkollat si çerdhet dhe kopshtet, vazhdimësia është garanci për investimet”

Veliaj: “Sfida ime, t’i bëjmë edhe shkollat si çerdhet dhe kopshtet, vazhdimësia është garanci për investimet”

Publikuar më: 13:01 06-06-2017

Alliasi në Njësinë Administrative Nr. 4 ka qenë ndalesa e radhës e turit “Tirana - 2 vjet zgjuar”, ku kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri një bilanc të punëve në dy vitet e para të mandatit. Në fjalën e tij, kryebashkiaku theksoi se investimi më i rëndësishëm që i ka dhënë dinjitetin e duhur Tiranës, është transformimi i sheshit “Skënderbej” në hapësirën simbol të të gjithë shqiptarëve, i cili do të hapet për qytetarët ditën e shtunë, 10 qershor, ora 19.30.

Veliaj u kërkoi të gjithë qytetarëve t’i bashkohen ceremonisë festive që do të mbahet me këtë rast, në një koncert madhështor me grupe të folkut shqiptar. “Sheshi “Skënderbej” do të hapet të shtunën dhe dua t’ju bëj një ftesë të hapur gjithë banorëve të Tiranës, që të vijnë ta ndjekin në orën 19.30. Ashtu siç në shesh kemi vendosur gurë nga të gjitha trevat shqiptare, ashtu edhe tingujt e koncertit do të përfaqësojnë folkun e të gjitha trevave të Shqipërisë. Do doja që të gjithë të vini me familjet tuaja, do të jetë një ceremoni qytetare. Mbrëmë në darkë bëmë një inspektim të fundit, ku sapo kemi vendosur shatërvanët e rinj, ndriçimin, dhe ka dalë një mrekulli”, tha Veliaj, duke shtuar se sheshi ka marrë një pamje dinjitoze për të qenë shtëpia e pritjes e të gjithë shqiptarëve.

Ai theksoi se çelësi i suksesit në përfundimin në një kohë kaq të shkurtër i një sërë projektesh të rëndësishme si sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Parku Olimpik, 500 metrat e para të Bulevardit të Ri, por edhe të shumë punëve që janë bërë në shumë lagje dhe rrugë të Tiranës, ka qenë pikërisht dëshira për të shërbyer dhe për të punuar në të mirë të interesit të qytetarëve. “Siç mbaroi Parku Olimpik, Unaza e Vogël, Pazari i Ri, sheshi ‘Skënderbej’, mbaruan shumë punë në kaq pak kohë. Pse? Ishim në punë. Edhe punët e shtëpisë ju mendoni se bëhen vetë? As sahati nuk punon në qoftë se nuk e kurdis. Kur ke një kryetar bashkie që i ngec ora sepse mendon se gjërat bëhen vetë, jo nuk bëhen vetë”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se prioritet i bashkisë në këto dy vite kanë qenë pikërisht fëmijët, pasi ky ishte investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit. “Në kushtet ku e gjetëm bashkinë, me borxhin mullar dhe me katër vjet ku jo vetëm s’punonte sahati, por edhe muri përballë bashkisë ishte me grafiti se nuk i fuste dot njeri një bojë për katër vjet, morëm një vendim si çdo familje, të rregullojmë fëmijët njëherë, se gjërat e tjera mund t’i bëjmë edhe në vitin e tretë a të katërt”, shtoi ai.

Por, investimi për fëmijët nuk do të mjaftojë vetëm me rindërtimin dhe rikonstruksionin e godinave të çerdheve dhe të kopshteve dhe pajisjen me bazën e duhur materiale, pasi kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se tashmë do të vijohet edhe me projektin për t’i pasuruar kopshtet edhe me terrene sportive, ku fëmijët të mund të përgatiten edhe fizikisht. “Kopshtin e parë e bëmë dje, kopshtin e dytë e kemi sot dhe do të vazhdojmë me të gjitha kopshtet e Tiranës me nga një terren sportiv, ku përveç shëndetit ka edhe disa dobi të tjera. Ju e dini fare mirë se me sportin nuk ndërtojmë vetëm fizikun, ndërtojmë edhe karakterin, mësojmë si të luajmë në skuadër”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës e konsideroi si qëllimin kryesor të dy viteve të ardhshme përmirësimin e insfrastrukturës së shkollave të Tiranës, në mënyrë që edhe ato, ashtu si çerdhet dhe kopshtet, të ofrojnë kushte dhe standarde moderne duke i dhënë zgjidhje problemit të mësimit me dy turne. Ai theksoi se vetëm duke investuar në arsimim mund të sigurohet një ardhme e sigurt për qytetin. “Nëse ti investon vetëm në Bllok, shoqëria rritet me dy shpejtësi; një pjesë e vogël që ecën pak më shpejt dhe një pjesë tjetër që rri më mbrapa në momentin që investojmë në mënyrë të pabarabartë; ndaj dëshira ime, duke qenë se ky është një komunitet që ka edhe anëtarë nga komuniteti rom apo njerëz që kanë ardhur vitet e fundit në Tiranë, urbanizim nuk do të thotë vetëm llaç e tulla, asfalt, pemë e ndriçim, urbanizim do të thotë mbi të gjitha arsim. Po t’u japim një shans fëmijëve tek Bregu i Lumit që të rriten me të njëjtat standarde si ata në qendër të Tiranës, realisht kemi ndërtuar Tiranën e ëndrrave tona”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj dha lajmin e mirë për të gjithë banorët e Njësisë 4 për rikonstruksionin e plotë të rrugës së Dibrës dhe rikonstruksionin e fasadave të pallateve në të dy krahët e rrugës. “Kemi filluar të gjitha fasadat në “Rrugën e Dibrës” dhe së shpejti nisim rikonsuksionin e të gjithë rrugës. Ju kërkoj ndjesë duke qenë se lëvizja do të jetë e kufizuar, pra një korsi do të jetë gjithmonë me punime, por janë punë që duhen bërë, është më mirë që ta bëjmë një herë e mirë”, tha ai, duke theksuar se rruga do të jetë e pajisur edhe me korsinë e biçikletave si një mënyrë për të stimuluar ecjen me mjete ekologjike. “Për herë të parë në këtë investim do të kemi edhe korsi biçikletash. Korsitë e biçikletave do të jenë të mbrojtura me sinjalistikë vertikale, që të mos futen makinat”, shtoi ai.

Veliaj nënvizoi se tashmë që projektet e mëdha po shkojnë drejtë fundit do i kushtohet një rëndësi më e madhe punëve publike nëpër lagje. Kryebashkiaku kërkoi mbështetjen e të gjithë banorëve të njësinë Nr. 4 për zgjedhjen e Edi Ramës Kryeministër, si garanci për vijimin e investimeve dhe të ndryshimit të kryeqytetit. “Nëse vërtet jeni mirënjohës dhe nëse vërtet puna e bashkisë ju ka prekur për mirë, ka diçka që ju mund të bëni për mua. E gjithë kjo punë që është bërë në vetëm dy vjet, është bërë falë një kontributi të madh të Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë”, tha Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0035910606384277