INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Trump i dërgon Koresë mesazhe “lufte” pas lëshimit të raketës

Trump i dërgon Koresë mesazhe “lufte” pas lëshimit të raketës

Publikuar më: 16:50 29-08-2017

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka qenë mjaft i qartë në përgjigjen e tij ndaj diktatorit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Ai ka thënë se çdo përpjekje e Koresë për të trembur botën dhe SHBA-të do të marrë përgjigjen që meriton.
Sipas tij të gjitha opsionet janë në tavolinë.
"Bota e mori të qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut: ky regjim sinjalizoi përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare. Veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm rrisin izolimin e regjimit të Koresë së Veriut në rajon dhe mes të gjitha vendeve të botës", deklaroi Trump.
Së fundmi Koreja e Veriut lëshoi një raketë e cila fluturoi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar alarm mes zyrtarëve qeveritarë në Tokio dhe duke rritur ndjeshëm shqetësimet diplomatike rreth krizës mbi programin ushtarak të Phenianit.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë thanë se po studionin të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores.
Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa "nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut".
Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.

Article Logic
Execution time: 0.0038928985595703