INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Skema e ndihmës ekonomike, reagon Banka Botërore

Skema e ndihmës ekonomike, reagon Banka Botërore

Publikuar më: 13:55 06-03-2018

Lidhur me zbatimin e projektit për skemën e ndihmës ekonomike ka reaguar edhe menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim.

Në një deklaratë për mediat Salim vlerëson progresin e arritur deri më tani duke e cilësuar të kënaqshëm projektin dhe objektivat e tij.

Ajo i ka cilësuar të pasakta raportimet në media lidhur me projektin e modernizimit të asistencës sociale në Shqipëri financuar nga Banka Botërore.

Gjithashtu shton se projekti mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për të targetuar të varfërit e përjashtuar dhe reduktimit të rasteve të mashtrimit apo gabimeve.

‘Ditët e fundit kemi vërejtur me shqetësim disa raportime të pasakta të publikuara në media në lidhje me projektin e modernizimit të asistencës sociale në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore. Ky projekt mbështet përpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në programin e ndihmës ekonomike, të varfrit që ishin përjashtuar më parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve”- shprehet Salim.

Menaxherja e BB shton se projekti po arrin objektivat dhe qëllimet kryesore.

'Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit është vlerësuar si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (anketimi i buxhetit të familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të ndihmës ekonomike për 10% të grupit të më të varfërve është rritur nga 34% në vitin 2009 (si viti bazë) në 45% në vitin 2015. Ndërkohë, mbulimi i 10% të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit' u shpreh menaxherja e Bankës Botërore.

Article Logic
Execution time: 0.0038158893585205