INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shuhet përkohësisht ëndrra e Kosovës, zhgënjen Shqipëria ndaj Andorrës

Shuhet përkohësisht ëndrra e Kosovës, zhgënjen Shqipëria ndaj Andorrës

Publikuar më: 23:36 14-11-2019

Kosova “shuan” ëndrrën për të shkuar në Europian nëpërmjet eliminatoreve të Europianit. Dardanët janë mundur 2-1 me përmbysje nga Çekia. Atdhe Nuhiu shënoi një super gol në fillimin e pjesës së dytë me një goditje të bukur me kokë.

Gjithsesi te vendasit ishte një futbollist i quajtur Alex Kral, i cili kishte gjithë fatin me vete mbrëmjen e sotme duke shënuar dy gola dhe duke i dhënë fund shpresave të Kosovës për t’u kualifikuar në këtë grup.

Kosova ka ende mundësi të sigurojë një vend në Kampionatin Europian 2020, por për t’ia dalë, do të duhet të triumfojë në Play Off-in e Ligës së kombeve, ku u rendit në krye të grupit.

Shqipëria nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 2-2 ndaj Andorrës. Në “Elbasan Arena”, në një atmosferë të vakët, kuqezinjtë u ndëshkuan nga dy gabime të rënda në mbrojtje. Trajneri Reja bëri disa eksperimente në këtë ndeshje duke lënë në stol kapitenin Hysaj dhe duke konfirmuar Veselin dhe Trashin në mbrojtje. Në mesfushë u la pushim Keidi Bare. Ndeshja nisi mjaft mirë për kuqeznjtë që gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 6-të. Pas një aksioni të bukur të Roshit në krahun e djathtë, Bekim Balaj e ka të thjeshtë për të shënuar me kokë.


Goli ndikoi negativisht te kuqezinjtë që ulën ndjeshëm ritmin, duke bërë që në minutën e 18-të, Cristian Martinez të befasonte të gjithë duke shënuar golin e barazimit. Shqipëria përpiqet që të reagojë me Memushajn, por portieri Gomez bën një ndërhyrje të bukur në minutën e 23-të. Deri në fund të pjesës së parë, do të kishim pak aksione të rrezikshme nga të dyja skuadrat që kanë humbur qartësinë në lojën e tyre.

Në fillimin e pjesës së dytë Reja hedhë në fushë edhe kapitenin Hysajn, por skuadra jonë pësoi shumë shpejt golin e disavantazhit. Cristian Martinez harrua sërish në zonë, duke arritur që të shënojë një gol të bukur. Goli ndikon pozitivisht për kuqezinjtë që shtojnë aksionet sulmuese. Në minutën e 55-të, Manaj me një rrotullim të bukur në zonë arrin që të shënojë golin e barazimit.

Reja vendosi të ndërhynte sërish duke aktivizuar edhe Keidi Bare-n në vend të Ndoj, duke shtuar agresivitetin në mesfushë. 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Gjimshiti nuk mundi të shënonte nga një distancë shumë e afërt me portën. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte, pavarësisht se Taulant Seferi ju afrua shumë golit në kohën shtesë me një goditje me kokë brenda zonës që shkoi ngjitur me shyllën.

Article Logic
Execution time: 0.0020198822021484