Eventi UFC-229 nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, por me një sherr masiv brenda e jashtë kafazit, që detyroi organizatorët të mos zhvillojnë ceremoninë e zakonshme të dorëzimit të gjerdanit për fituesin, që ishte rusi Khabib Nurmagomedov. Ishte pikërisht fituesi ai që u bë protagonist për keq pak sekonda pasi mundi me “submission” Conor McGregor, duke kërcyer jashtë kafazit dhe nisi sherrin me stafin e irlandezit.
Kjo solli një përleshje masive, ku u përfshinë të dyja stafet e fansat që ishin aty pranë, madje disa persona nga stafi i Khabib goditën me grushta pas shpine McGregor. Sherr në kafaz e jashtë saj, ku ndërhynë forcat e rendit dhe ata të sigurisë.
Mirëpo McGregor në mënyrë të habitshme pretendon se ka humbur ndeshjen por fitoi betejën kundër rusit. Në një postim në Instagram ku dukej me sy të nxirë dhe i dërrmuar, irlandezi shkroi: “Humbëm ndeshjen por fituam betejën, lufta vazhdon”, ndërsa mbante në duar edhe një gotë nga uiski i prodhuar nga kompania e tij.
Pasi Khabib fitoi duelin për peshat e lehta në UFC, irlandezi kërkoi një revansh, një tjetër përballje me luftëtarin nga Dagestani.
Por Khabib i ka kthyer përgjigje po në rrjetet sociale, duke e përqeshur dhe këshilluar të qëndronte larg ideve të tilla. “Si vëllai-vëllait, pse nuk e merr më shtruar, sepse po më vjen keq që tani për ty. Të pata thënë që do të tregoja gjithçka më 6 tetor apo e fitove ti atë ndeshje? Iu kërkoj falje të gjithëve nëse ju kam fyer me fitoren time”, shkroi Nurmagomedov në një postim në Instagram.