INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrëzimi i republikës, Donnie Lu dhe kushtetuta si peshku i madh!

Rrëzimi i republikës, Donnie Lu dhe kushtetuta si peshku i madh!

Publikuar më: 18:43 29-05-2018

Nga Erion Dizdari

Pak ditë na ndajnë nga mbarimi i mandatit të ambasadorit të SHBA në Tiranë i cili do mbahet mend për reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë dhe peshqit e mëdhenj që nuk u kapën kurrë!

Z. Lu është parë shpesh herë tejet agresiv kur vjen puna te reforma në drejtësi por e kundërta ka ndodhur me fenomene si inkriminimi i institucioneve shqiptare, kanabizimi i vendit dhe korrupsioni masiv, karshi tyre zoti ambasador ka pasur një reagim të varfër për të mos thënë krejt apatik.
Mirëpo çfarë ka arritur në të vërtetë z. Lu?!

Sot në Shqipëri kemi një kushtetutë “allasoj”, unike në formën e saj në të gjithë botën, ndryshe nga kushtetutat e vendeve perëndimore ku aspirojmë të integrohemi, kjo e jona ngjan si një rregullore e një reparti ushtarak dhe frymën kushtetuese që përbën thelbin e një kushtetute nuk dihet ku gjendet në këtë gjysmë katrahurë që na dhuroi ambasadori Lu.
Vijmë tek thelbi, falë reformës në drejtësi sot “REPUBLIKA E SHQIPËRISË KA RËNË”.

Sot duke filluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shumë gjykata të tjera nuk kane kuorum funksional, Gjykata Kushtetuese ka veç 3 nga 9 anëtarë që me ligj duhet të ketë në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i saj dhe si pasojë i institucioneve të tjera shtetërore.

Më e keqja është se ky boshllëk pushteti nuk dihet as se kur do mbushet, e gjitha kjo si pasojë e një reforme në drejtësi aq të propaganduar nga z. Lu se pikërisht do sillte atë që sot nuk ekziston më, DREJTËSINË!

Praktikisht, falë z. Lu, nëse pushtetit të Edi Ramës sot do i shkojë nëpër mend të miratojë një ligj i cili i mohon pronën qytetarit apo i mohon të drejtën e besimit në zot (mora këto dy shembuj se ne shqiptarët i njohim mirë pasojat e tyre në të shkuarën e afërt) thjeshtë me 71 vota në parlament atëherë nuk do kishte asnjë institucion i cili do mund t’a ndalonte (Gjykata Kushtetuese në këtë rast) dhe t’i shpallte këto iniciativa si të pavlefshme.

Në këtë kuadër sot vendi ynë është prag të një kolapsi shoqëror por askush (ose shumë pak vetë) nuk e thonë, jo se nuk e dinë por sepse kështu i leverdis, nga frika, korrupsioni, servilizmi apo edhe menefregizmi, ndërkohë që ka nevojë për një reagim të menjëhershëm, të një ndërgjegjësimi të elitës dhe më pas të gjithë shoqërisë shqiptare për të tejkaluar qorrsokakun ku na ka futur kjo reformë.

Si konkluzion i së gjithës është se; i vetmi peshk i madh që kapi z. Lu nëpërmjet reformës në drejtësi është Kushtetuta e Shqipërisë, e cila si pasojë ka çuar në rrëzimin praktik të Republikës së Shqipërisë.

Article Logic
Execution time: 0.0029900074005127