INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rini e prekur nga droga, korrupsioni ka goditur rëndë shoqërinë, mesazhi i Metës për Ramazan…

Rini e prekur nga droga, korrupsioni ka goditur rëndë shoqërinë, mesazhi i Metës për Ramazan…

Publikuar më: 14:55 05-05-2019

Një ditë para nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar edhe mesazhin e tij për të gjithë besimtarët myslimanë, ku nuk mungon as thirrja për solidaritet në të gjithë shoqërinë.

Kreu i Shtetit nënvizon se korrupsioni, arroganca dhe egoja e pafre janë ato që shpesh godasin ekuilibrat në shoqëri, ndaj sipas tij është kjo koha që të reflektojmë.

“Nga zemra u uroj ju dhe mbarë popullit, Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës e të reflektimit, por edhe të dhënies së provave të pafundme të forcës së besimit në Zot!

Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja dhe Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri! Rinia sot është e prekur nga krimi, droga, bixhozi e fajdet, largimi nga arsimi e edukimi cilësor, papunësia dhe fenomene të tjera negative. Në këtë Muaj të shenjtë, të reflektojmë për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të rinisë sonë dhe për forcimin e shtyllës më të fortë të shoqërisë, familjes.

Le të shërbejë ky Muaj, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të përpiqemi dhe pavarësisht sakrificave që kërkohen, të afrojmë më shumë zemrat tona, të zgjatim dorën e bashkëpunimit dhe të unifikojmë shqetësimet e të gjejmë zgjidhjen e tyre. Vendi ka nevojë për shpresë dhe të bashkuar ne duhet dhe mund t’ja dalim” thuhet ndër të tjera në reagimin e plotë e presidentit.

Article Logic
Execution time: 0.0031299591064453