INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Raport i 7 organizatave botërore të medias, gjendja në Shqipëri e rëndë

Raport i 7 organizatave botërore të medias, gjendja në Shqipëri e rëndë

Publikuar më: 13:10 21-06-2019

Një raport i 7 organizatave botërore që merren me mediat dhe mbrojtjen e gazetarëve kanë arritur në konkluzionin se gjendja e medias në Shqipëri është e rëndë. Delegacioni ka qëndruar në Tiranë në një mision ndërkombëtar mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri dhe ka mbledhur informacione rreth sfidave të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Shqipëri.
Përfaqësuesit e delegacionit kanë takuar gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja në Tiranë dhe më pas kanë hartuar raportin.
Në raport citohet se delegacioni gjeti se liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim për shkak se sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe zyrtarët më të lartë publikë përdorin rregullisht gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë.
Legjislacioni i propozuar së fundmi i lidhur me median, shkruhet në raport nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Ekspertët ndihen të shqetësuar se Shqipëria, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Delegaconi përbëhej nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ARTIKULLI 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Federata Europiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Reporterët Pa Kufij dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore.

Article Logic
Execution time: 0.0035421848297119