INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Protesta u mbyll/ Xhafaj: Dhuna barbare ndaj policisë e nxitur politikisht, ja si përgjigjemi

Protesta u mbyll/ Xhafaj: Dhuna barbare ndaj policisë e nxitur politikisht, ja si përgjigjemi

Publikuar më: 15:09 31-03-2018

Pas tre orë protestë dhe trazirë tek Rruga e Kombit, ku qytetarët dolën për të kundërshtuar taksën që pritet të aplikohet ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se manifestimi i prezupozuar paqësor, u shndërrua në sulm ndaj policisë nga grupe individësh të papërgjegjshëm, në përbërje gjendeshin edhe elementë të shkuar kriminale dhe me rrezikshmëri kriminale shfrytëzuan të drejtën legjitime për të protestuar.

'Sot më datën 31 Mars, nga një përfaqësi e disa qytetarëve të Bashkisë Kukës u kërkua që të zhvillohej një protestë në orën 11:00 për të shprehur kundërshtinë mbi tarifën që paguhet për automjetet që qarkullojnë në autostradën Milot-Morinë.

Në përputhje me kërkesën e bërë dhe në respektim të kësaj të drejte themelore të qytetarëve, Policia e Shtetit krijoi të gjitha kushtet dhe mori masat e duhura sipas ligjit, për zhvillimin e këtij tubimi.

Sikurse mundet të keni ndjekur nga njoftime të ndryshme mediatike, manifestimi i presupozuar paqësor, u shndërrua menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike dhe asaj private.

Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.

Shpreh gjithë mbështetjen dhe respektin për të gjithë ata qytetarë të një zone të dalluar për ndershmëri, krenari dhe fisnikëri sikurse është zona e Kukësit, të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm, si dhe ndaj atyre që nxisin veç zjarrin dhe dhunën për interesa politike dhe nuk u bënë pjesë e atyre, që pa asnjë shkak sulmuan egërsisht punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruan pasurinë publike dhe atë private.

Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës.

Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.

Asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj policisë, janë lënduar 12 punonjës të FNSH, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe ndodhet në spital. Vlerësoj profesionalizimin e policisë në situatën e ndodhur duke shmangur realizimin e skenarëve kriminal, ku ishin të interesuar provokatorë.

Jam i keqardhur dhe u kërkoj distancim nga përfaqësuesit politikë për ushtrim dhunë, ky është një precedent i rrezikshëm. Apel bashkisë Kukës të distancohet nga aktet dhunës për të normalizuar qarkullimin.Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, deklaroj se Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private.

Kush nxit dhunën dhe anarshin do të marri përgjigjen e merituar ligjore! Askush nuk mundet të jetë mbi ligjin!” u shpreh Xhafaj.

Article Logic
Execution time: 0.0041470527648926