INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Prokurori Arben Dollapaj kalon Vettingun, KPK: Është i pastër!

Prokurori Arben Dollapaj kalon Vettingun, KPK: Është i pastër!

Publikuar më: 11:38 06-08-2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë, Prokurorin e Prokurorisë së Apelit të Rrethit Shkodër, Arben Dollapaj. Trupa e gjyqtarëve të KPK-së, mori këtë vendim pasi shqyrtoi tre shtyllat e verifikimit; pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Prokuror i Apelit në Shkodër është kandidat edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas raportit të ILDKPI-së, të çuar për KPK-në, ky prokuror ka pasuri të justifikuar dhe s’ka fshehje të pasurisë. Edhe raporti mbi pastërtinë e figurës, i ofruar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar rezulton pozitiv për prokurorin e Apelit të Shkodrës. “Ka kryer me ndershmëri detyrën dhe me etikë të lartë profesionale, ka ruajtur të pastër figurën profesionale”, rezulton sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale të Dollapajt. Pas dëgjimit të raportit të kontrollit, prokurori falënderoi trupën e KPK-së, ndërsa tha se gjatë karrierës së tij 25-vjeçare kishte punuar me korrektesë e ndershmëri, e për këtë arsye kërkonte konfirmimin në detyrë. Arben Dollapaj është një nga prokurorët e njohur të sistemit të akuzës në Shqipëri pasi ka drejtuar Prokurorinë e Durrësit për disa vite me radhë. Më pas u transferua në Tiranë ku mori pjesë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit që në momentet e para duke kryer veprimet në fshatrat që u prekën nga shpërthimi e derisa dosja u dërgua në Gjykatën e Lartë. Në vitet 2008-2016, Arben Dollapaj ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme por edhe si drejtues i sektorit të Inspektimit. Në vitin 2016 u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës ku punon aktualisht. Para transferimit në Shkodër ai u përfshi në një debat publik me ish kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Article Logic
Execution time: 0.0036020278930664