INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Projekt për zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës. Si do jetë?

Projekt për zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës. Si do jetë?

Publikuar më: 16:36 02-09-2016

Superstrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet. Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor, një kompani italiane e pajtuar nga Qeveria, i ka dorëzuar Autoritetit Rrugor projektin paraprak për zgjerimin e rrugës që lidh dy qëndrat më të mëdha të vendit.
Mësohet se projekti parashikon që superstrada, nga dy korsi për krah që është aktualisht të bëhet me tre korsi plus një tjetër shtesë emergjence. Paralelisht, ai parashikon edhe zgjerimin e korsive nga 3.5 metër që janë aktualisht në 3.75 metër.
Burime nga autoriteti bëjnë të ditur se rruga e re do të zgjidhë përfundimisht çështjen e mbikalimeve, nënkalimeve por edhe lidhjes së bizneseve me supestradën, të cilët përgjatë kësaj zone janë të shumtë.
Dhe jo vetëm kaq. Projekti parashikon që përveç rritjes së korsive, mësohet të ketë dhe rritjen e shpejtësisë për të lëvizur në këtë aks rrugor. Mësohet se shpejtësia e lëvizjes në këtë aks rrugor do të jetë 140 km në orë.
Ndërkohë kostoja e zgjerimit të rrugës llogaritet 150 milionë euro, çka do ta shndërronte atë në një supestradë të kategorisë A, pra të standardeve më të larta.
Nevoja për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës ka lindur për shkak të fluksit të lartë të mjeteve në këtë rrugë. Aktualisht superstrada ka një kapacitet prej 30 mijë mjetesh në ditë, por sipas projektit të paraqitur nga italianët pas zgjerimit rruga do të përballojë deri në 67 mijë mjete në ditë.
Qeveria shqiptare ende nuk ka një vendim se kur do të investojë në këtë rrugë. Studimi është faza e parë e planit për të ndërhyrë. Por sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i rrugës është i domosdoshëm për të përballuar fluksin e lartë të qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në të.

Article Logic
Execution time: 0.0037288665771484