INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD me prova të reja: Si e ndihmon Xhafaj vëllanë trafikant

PD me prova të reja: Si e ndihmon Xhafaj vëllanë trafikant

Publikuar më: 12:46 13-05-2018

Edhe këtë të dielë Partia Demokratike ka vijuar të akuzojë ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se i ka dhënë “imunitet” vëllait të tij Agron xhafaj, duke e mbrojtur përballë ligjit.

Nga selia blu, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji deklaruan se familja Xhafaj tashmë e ka shkelur edhe ligjin Antimafia, pasi ministri pengon forcën vepruese të tij të prekë vëllain.

Alibeaj tha se ministri ka gënjyer më 7 tetor 2010, kur tha se vëllai i tij, Agron Xhafaj e ka vuajtur dënimin.

“Agron Xhafaj nuk ka bërë burg nga dënimi prej 7 vitesh nga autoritetet italiane. Nuk ka vuajtur asnjë pasojë ligjore. Fatmir Xhafaj e ka ndihmuar që t’i shpëtojë drejtësisë. Janë burgosur kryefamiljarë për dritat ose kuksianët për traun e “Rrugës së Kombit”, ndërsa Agron Xhafaj, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nuk burgoset. Ai ka siguruar paprekshmëri nga policia sepse është vëllai i ministrit të Brendshëm”, deklaroi deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.

“Xhafaj t’u shpjegojë shqiptarëve pse ligji nuk vepron mbi vëllain e tij”, shtoi Alibeaj.

Sipas Salianjit, ministri Xhafaj ka thënë se ndihmoi vëllanë t’i kthehet jetës normale, por kjo gjë sipas PD nuk mund të arrihet pa vuajtur dënimin që është dhënë në bazë të ligjeve.

Ndërkohë ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi publikoi provat që sipas PD tregojnë se ministri i Brendshëm “nuk flet dot, sepse nëse flet i duhet të pranojë se e ka ndihmuar të vëllain që t’i shpëtojë drejtësisë”.

1- Së pari, Fatmir Xhafaj nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm ka shkelur ligjin për të ndihmuar vëllain e tij ti shpëtojë vuajtjes së dënimit duke penguar cdo veprim për ekstradimin e tij.
2- Së dyti, Fatmir Xhafaj, nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare, dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në Kodin e Procedurës Penale një dispozitë ligjore
3- Së treti, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia. Nga pozicioni i tij si Ministër i Brendshëm Fatmir Xhafaj pengon Ligjin Antimafia të veprojë ndaj Agron Xhafajt.

'Të tre këto prova tregojnë qartë sesi Fatmir Xhafaj është drejtpërdrejt i përfshirë nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm dhe më parë i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, tha Bardhi.

Article Logic
Execution time: 0.0029258728027344