INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Orë me zile për politikën. OSBE kërkon përfundimin e reformës zgjedhore

Orë me zile për politikën. OSBE kërkon përfundimin e reformës zgjedhore

Publikuar më: 16:02 29-05-2018

Komisioni i reformës zgjedhore ishte komisioni i parë që u ngrit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2017, por deri më sot nuk ka asnjë produkt real. Ndaj presioni ndërkombëtar për të çuar më tej këtë reformë ka nisur këtë të martë me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Vizita e zyrtarit të lartë të OSBE-së vjen në një moment delikat për vendin, por kjo nuk e ka penguar Greminger të vendosë afate për përmbylljen e reformës zgjedhore.

Thomas Greminger:
“E di që ka një komision të posaçëm parlamentar që po punon me reformën, e di që puna përgatitore po ecën mirë por mendoj se është koha që kjo të përkthehet në vendime që të mund të testohen elementët e rinj vitin tjetër dhe të siguroheni se keni diçka solide për zgjedhjet e vitit 2021. Shqiptarët vazhdimisht kanë qenë të aftë për të arritur konsensus për vendime shumë të rëndësishme. Thënë këtë, mendoj se ka ende vend për përmirësim për sa i përket zhvillimit të një kulture politike ku të keni një opozitë të fortë dhe të zëshme, ku kundërshtarët politikë të trajtohen me respekt dhe në të njëjtën kohë të arrini konsensus në veçanti për çështje strategjike të vendit”.
Këtë qëndrim Sekretari i Përgjithshëm e dha në një konferencë për shtyp në krah të kryeparlamentarit Ruçi, i cili shfaqet optimist për përmbylljen brenda afateve të kësaj reforme.
Gramor Ruçi:
“Ka pasur momente që kanë qenë edhe më të nxehta se këto dhe si rezultat i bashkëpunimit dhe ndërveprimit reciprok është arritur mirëkuptimi për mjaft çështje të rëndësishme. Jam besimplotë që do të arrihet në një produkt final në rradhë të parë për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR”.

Article Logic
Execution time: 0.0038299560546875